Një vullkan në rajonin lindor të Kamçatkës, në Rusi, ka shpërthyer për herë të parë pas 450 vjetësh, sipas autoriteteve ruse të emergjencës. Lajmi vjen vetëm pak ditë pas një tërmeti me magnitudë 8.8 – një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë  që tronditi rajonin e Paqësorit, duke shkaktuar alarm tsunami dhe evakuime masive në disa vende bregdetare.

Sipas Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme të Kamçatkës, shpërthimi ndodhi në vullkanin Krasheninnikov, i cili nuk kishte shfaqur aktivitet që nga viti 1550.

Pamjet e publikuara nga mediat shtetërore ruse tregojnë një kolonë të fuqishme hiri që ngrihet deri në 6 kilometra në lartësi. Kolona po përhapet drejt lindjes, në drejtim të Oqeanit Paqësor, por sipas autoriteteve, nuk ka zona të banuara në rrugën e saj dhe deri më tani nuk janë raportuar reshje hiri në vendbanimet përreth.

Për shkak të shpërthimit, është vendosur kodi i rrezikut ajror “portokalli”, që do të thotë se trafiku ajror në zonë mund të ndikohet.

Ndërkohë, një tjetër tërmet me magniturë 6.8 goditi mëngjesin e sotëm afër Ishujve Kurile, në lindje të Rusisë. Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 15 kilometrash dhe është regjistruar nga Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV).

Ky aktivitet i shtuar sizmik dhe vullkanik ndodh në të njëjtën kohë kur një tjetër vullkan aktiv në rajon, Klyuchevskoy  më i larti në Evropë dhe Azi  ka hyrë në fazë shpërthimi që nga e mërkura. Ky vullkan është mjaft aktiv dhe ka pasur të paktën 18 shpërthime që nga viti 2000.

Tërmeti i fuqishëm prej 8.8 ballësh që ndodhi ditë më parë, preku më së shumti zonën e Petropavlovsk, Kamchatsky, duke shkaktuar një cunami që goditi portin Severo, Kurilsk dhe përmbyti një impiant peshkimi. Ky ishte tërmeti më i fuqishëm në rajon që nga viti 2011, kur një tërmet prej 9.1 ballësh në brigjet e Japonisë shkaktoi një cunami që mori jetën e mbi 15.000 personave.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*