Nga Giovanni Lippolis
Itali
Një tjetër natë frike dhe pasigurie është regjistruar mes të dielës dhe të hënës për banorët pranë Vezuvit, ku një zjarr i përmasave të mëdha vazhdon të përhapet prej katër ditësh, duke përfshirë zona të shumta në jug të Italisë.
Një vatër e re e flakëve është shfaqur mes komunave Torre del Greco dhe Trecase, duke rrezikuar një zonë të banuar ku ndodhet edhe një kompani piroteknike materiali i së cilës është zhvendosur për arsye sigurie. Falë ndërhyrjes tokësore, përimetri i zjarrit është izoluar, por situata mbetet kritike dhe larg përfundimit.
Tre fronte aktive, situata ende e brishtë
Prefekti i Napolit, Michele di Bari, pas një takimi emergjent në komunën e Terzigno, deklaroi
Aktualisht kemi tre fronte aktive që mbeten shqetësuese në Terzigno, Torre del Greco dhe Ottaviano. Gjithsesi, situata është përmirësuar krahasuar me ditën e premte.
Në terren janë 350 efektivë, përfshirë vullnetarë, me mbështetje të ardhur nga e gjithë Italia, si nga Mbrojtja Civile, ashtu edhe nga Zjarrfikësit.
Temperaturat e larta dhe terreni i vështirë po e bëjnë më të komplikuar ndërhyrjen, por për fat të mirë, deri tani nuk raportohen zona të banuara në rrezik të drejtpërdrejtë.
Angazhim masiv ajror dhe ndërhyrje ushtarake
Sipas njoftimeve nga Rajoni i Kampanias, deri më 10 gusht janë kryer 2,000 lëshime nga ajri me helikopterë dhe avionë Canadair, duke shpërndarë mbi 8 milionë litra ujë dhe substanca shuarëse.
Ushtria italiane ka ndërtuar 5 pista ndarëse zjarri, ndërsa sot nga Friuli Venezia Giulia janë nisur edhe 4 skuadra të tjera ndihmëse. Guvernatori i Venetos, Luca Zaia, ka konfirmuar se 3 skuadra të Rajonit Veneto do të qëndrojnë në terren të paktën deri të mërkurën.
Hetime dhe arrestime për zjarrvënie të qëllimshme
Ndërkohë, një task-forcë speciale hetimore nga Karabinieria po punon për të përcaktuar shkaqet e zjarrit në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Nolës. Dyshimet kryesore janë për zjarrvënie të qëllimshme ose për sjellje të papërgjegjshme.
Në Avellino, një piroman u filmua teksa ndezi zjarr në Montemiletto dhe është arrestuar, ndërsa në një ngjarje tragjike, një 74-vjeçar, Pasquale Dello Iacono, humbi jetën nga një infarkt, pasi kaloi gjithë natën me zjarrfikësit dhe vullnetarët për të mbrojtur tokën e tij nga flakët.
Zjarre edhe në zona të tjera të Italisë
Sipas Drejtorit të Mbrojtjes Civile të Rajonit Abruzzo, Maurizio Scelli, edhe zjarret që kanë shpërthyer në zonën e Marsicës janë të dyshimta. Duket qartë që ka një dorë kriminale pas kësaj, u shpreh ai, ndërsa flakët kanë përfshirë më shumë se 90 hektarë tokë.
Sot, flota ajrore shtetërore, e koordinuar nga Departamenti i Mbrojtjes Civile, ka ndërhyrë për të shuar dhjetëra zjarre pyjore në të gjithë vendin. Qendra Operative Ajrore Kombëtare (COAU) ka pranuar 20 kërkesa për ndërhyrje ajrore, ku më e prekura mbetet Kampania (7 kërkesa), e ndjekur nga Kalabria (4), Lazio dhe Abruzzo (nga 3), Basilicata (2) dhe Sicilia (1).





