26 viktima, 650 të lënduar, 47 të shpëtuar dhe disa të humbur nën rrënoja! Është ky bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54, 6.4 ballë me epiqendër 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Forcat e Armatosura, Zjarrfikëset, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile në bashkëpunim me grupet e ardhura nga vendet mike, vijojnë kontrollet mes rrënojave të cilët janë përqendruar në tre zona: Këneta në Durrës, te pallati gjashtë katësh afër kryqit të kuq dhe te Vila Palma po në Durrës, ndërkohë kërkimet në Thumanë kanë rinisur prej mëngjesit të sotëm.

Prej orës 03:54 të mëngjesit të së martës kur u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati deri në 30 sekonda, vendi është në agoni, lot e trishtim, me shpresë dhe lutje për të mos rritur bilancin e jetëve të humbura dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja. Shqipëria është me sytë nga Thumana aty ku janë shënuar dëmet më të mëdha dhe ku tre pallate janë shembur.

Mrekulli dhe lajme të gëzueshme janë përcjellë në mesin e kësaj tragjedie, ku prej orësh të tëra nën rrënoja janë shpëtuar të gjallë me dhjetëra persona me agoninë për të pasur pranë vetes familjarët e tyre, disa prej të cilëve nuk u dihet fati. Disa kanë dhënë shenja jete me telefona duke kërkuar ndihmë, por operacionet janë të vështira për shkak të kujdesit që duhet treguar për t’i nxjerrë pa të tjera dëmtime nga grumbullimi i copave të betonit dhe inerteve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*