NGA AGRON BRATAJ

Në zemër të Hagës, larg dhe ftohtë nga realiteti i dhimbshëm i Kosovës, disa fytyra të panjohura ndërkombëtare janë ulur në karriget e drejtësisë për të gjykuar ata që dikur dolën përballë tankeve, dhunës dhe genocidit . heronjtë e UÇK-së. Por drejtësia që pretendojnë tA përfaqësojnë këta gjyqtarë duket më shumë si një maskë, e ngarkuar me interesa politike dhe qëllime të errëta, sesa një përpjekje e sinqertë për të zbardhur të vërtetën.

Në bankën e të akuzuarve sot nuk ulen kriminelët e luftës që urdhëruan masakra në Drenicë, në Prekaz, në Reçak, në Meje apo në Qyshk. Jo! Në Hagë nuk shohim fytyrat e Mlladiçit, Sheshelit apo të zyrtarëve serbë që hodhën themelet e një fushate spastrimi etnik në Kosovë.

Në vend të tyre, përballë trupit gjykues janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerë  burra që udhëhoqën një popull drejt çlirimit.

Padrejtësi e shekullit

Që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, gjykata ka treguar qartë orientimin e saj të njëanshëm. Është një institucion i ndërtuar vetëm për të gjykuar shqiptarët, ndërkohë që e gjithë struktura e krimit shtetëror serb ka mbetur e paprekur. Çfarë drejtësie është kjo që merret vetëm me viktimën, dhe jo me agresorin?

Të gjithë e dimë se këto procese nuk kanë të bëjnë me ndonjë “dëshirë për të zbardhur të vërtetën”, por me një strategji të pastër politike për të barazuar UÇK-në me forcat kriminale serbe, dhe për të krijuar një realitet të rremë në sytë e botës. Dhe këta gjyqtarë  me emra të huaj dhe fytyra të ftohta janë thjesht instrumenta të këtij projekti të rrezikshëm, i sponsorizuar nga ata që nuk ia falën kurrë Kosovës lirinë.

Po të ishte gjallë Adem Jashari…

Sikur të ishte gjallë heroi legjendar i Kosovës, Adem Jashari, edhe ai sot do të kishte qenë i thirrur në Hagë. Do ta akuzonin për “krime lufte”, për “organizim të grupit të armatosur”, për “shkelje të rendit ndërkombëtar”. E gjithë familja Jashari, që u flijua për liri, sot do të ishte nën hetim  ndërsa vrasësit e tyre do të shëtisnin të lirë nëpër Beograd e Bruksel.

Këta që gjykojnë sot, nuk e njohin sakrificën. Ata nuk e kuptojnë çfarë do të thotë të mbrosh pragun e shtëpisë me pushkë në dorë. Dhe as nuk duan ta kuptojnë. Sepse e gjithë kjo gjykatë është ngritur për një arsye të vetme: ta njollosë luftën e drejtë të UÇK-së, ta relativizojë sakrificën, dhe t’i japë Serbisë një “fitore morale” që nuk e fitoi dot në fushëbetejë.

Kosova nuk përkulet!

Në këto ditë të rënda, kur në Hagë po provohet të gjykohet historia jonë, Kosova duhet të qëndrojë e bashkuar. Nuk ka komb në botë që gjykon heronjtë e vet, e aq më pak kur ata kanë dhënë gjithçka për lirinë. Ne nuk harrojmë  as Prekazin, as Reçakun, as luftën që bëri populli ynë për të mos u shuar.

Historia do të jetë më e fuqishme se çdo gjykatë. Dhe e vërteta do të mbijetojë më gjatë se çdo dosje e montuar. Ata që sot gjykojnë heronjtë tanë, nesër do të mbeten në faqet e errëta të padrejtësisë ndërkombëtare  ndërsa emrat e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit do të qëndrojnë përjetë në panteonin e lavdisë kombëtare, pranë Adem Jasharit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*