Nga Agron Brataj

Çfarë mund të presë një qytet nga punonjësit e pastrimit, kur ata paguhen me rroga minimale dhe pajisen me mjete primitive, si fshesa gjeshtre dhe lopata? Si mund të kërkojmë një qytet të pastër, kur vetë sistemi që duhet ta garantojë këtë pastërti është i dështuar në themel?
Sot, rastësisht, duke kaluar nëpër rrugët e Vlorës, pashë punonjësit e pastrimit duke fshirë rrugët me fshesë në dorë. Pluhuri ngrihej në ajër, përhapur kudo, duke krijuar jo vetëm ndotje, por edhe rrezik për shëndetin e tyre. Ata punonin pa maska, pa mjete mbrojtëse, të pambrojtur dhe të heshtur. Në atë moment, pronari i një lokali doli jashtë dhe filloi t’i shante, t’i ofendonte dhe t’u bërtiste, sikur ata të ishin fajtorët për gjendjen e krijuar.
Por lind pyetja thelbësore: çfarë duhet të bënin ata ndryshe?
Të ndalonin punën dhe të rrezikonin vendin e punës?
Të refuzonin urdhrat e eprorëve?
Apo të mbanin përgjegjësi për mungesën e mjeteve që nuk i kanë ata në dorë?
Duke vazhduar rrugën, pashë një tjetër skenë po aq shqetësuese. Një kamion që mbledh mbeturinat nga koshat e qytetit, i mbingarkuar, me rrota të dëmtuara, pothuajse jashtë funksionit. Punonjësit, në vend që të përdornin mjete mekanike, po e ngarkonin kamionin me lopata, si në kohë primitive. Një pamje që flet shumë për realitetin e hidhur të pastrimit urban.
Ndërkohë, në letër dhe në dokumente zyrtare, bashkia ka bërë tendera:
qindra mijëra euro për blerjen e makinave të pastrimit,
rreth 400 mijë euro për blerjen e tyre,
tendera për skrepa dhe mjete ngarkuese,
tendera që përsëriten çdo vit per mirembajtjen e tyre.
Atëherë lind një pyetje edhe më e rëndë: ku janë këto mjete?
Pse nuk i shohim në rrugë?
Pse punonjësit vazhdojnë të pastrojnë qytetin me fshesë dhe lopatë, ndërsa fondet ekzistojnë dhe tenderat janë firmosur?
Në këtë zinxhir absurditeti, faji i hidhet gjithmonë atij që ka më pak zë, punëtorit. Ai bëhet shënjestër e sharjeve, e përbuzjes dhe e padrejtësisë. Ndërkohë, askush nuk kërkon llogari aty ku duhet, te institucionet, te menaxhimi, te transparenca e fondeve publike.
Një qytet i pastër nuk arrihet duke ofenduar punonjësit e pastrimit.
Një qytet i pastër nuk mbahet me fshesë gjeshtre dhe lopatë.
Një qytet i pastër kërkon respekt për punën, dinjitet për punëtorin, mjete moderne dhe përgjegjësi institucionale.
Në fund të fundit, problemi nuk është pluhuri që ngrihet nga fshesa.
Problemi është pluhuri i neglizhencës, i keqmenaxhimit dhe i mungesës së ndërgjegjes qytetare që ka mbuluar qytetin.
Dhe derisa këto të pastrohen, asnjë fshesë sado e fortë nuk do të mjaftojë.




