Agron  Brataj

Është e kuptueshme që ardhja në pushtet pas tetë vitesh opozitë sjell uri: uri për pushtet, për para, për famë, për të treguar se “tani jemi ne”, madje edhe për të ndërtuar çdo skemë të mundshme që pushteti të mos humbasë kurrë.

Kjo, në vetvete, është një sëmundje e vjetër e politikës shqiptare. Por ajo që nuk kuptohet dhe nuk justifikohet dot është mosngopja: etja e pafund për para të pastra dhe të pista, për pushtet të egër mbi popullin tënd, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie morale apo sociale.

Një nga treguesit më të qartë të kësaj situate është rënia drastike e euros në tregun shqiptar. Në vitin 2013, kur euro hynte në Shqipëri, ajo këmbehej rreth 140 lekë të reja. Sot, euro këmbehet me rreth 95 lekë, dhe askush nuk e di ende se deri ku mund të shkojë kjo rënie.

Kjo nuk është thjesht një çështje teknike financiare apo një luhatje e zakonshme valutore. Kjo është një goditje direkte ndaj emigrantit, ndaj familjeve që jetojnë me te ardhurat e emigrantit dhe ndaj atyre që mbajnë gjallë ekonominë reale të vendit.

Ku shkojnë paratë?
Pyetja kryesore që shtrohet është:
Ku shkojnë gjithë këto lekë që përfitohen nga çdo euro që hyn në Shqipëri?

Sepse dikush po përfiton. Nuk është emigranti, i cili punon me gjak, me djersë dhe me sakrifica në vende të huaja. Nuk janë pensionistët. Nuk janë familjet e zakonshme shqiptare. Përfituesit realë mbeten të padukshëm për publikun, por shumë të dukshëm në pasuritë e tyre që rriten çdo vit.

Ndërkohë që tenderat korruptivë janë të pafund, ndërkohë që paratë publike shpërndahen mes një rrethi të ngushtë njerëzish, qytetari i zakonshëm sheh se euroja që ai sjell nga jashtë vlen gjithnjë e më pak. Kursimet shkrijnë. Mundësia për të ndihmuar familjen zvogëlohet. Sakrifica humbet vlerë.

Emigranti i harruari i madh
Emigranti shqiptar ka lënë shtëpinë, vendin, nënën, familjen dhe gjithçka të dashur për të siguruar një jetë më të mirë, por edhe për të ndihmuar ata që ka lënë pas. Eurot që ai sjell në Shqipëri nuk janë para të pista. Janë para të fituara me punë të ndershme, me orë të gjata, shpesh në kushte të vështira dhe poshtëruese.

Sot, këtyre eurove po u hiqet vlera. Dhe kjo ndodh pa asnjë politikë mbrojtëse, pa asnjë reflektim publik, pa asnjë ndjeshmëri ndaj atyre që realisht mbajnë gjallë ekonominë e vendit.

Deri kur?
Sa miliarda euro duhen që disa njerëz të thonë: “Mjaft, boll më kaq”?
Deri kur do të vazhdojë kjo politikë që pasuron pakicën dhe varfëron shumicën?
Deri kur pushteti do të sillet si pronë private dhe jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve?

Rënia e euros nuk është thjesht një shifër në tregun valutor. Ajo është simptomë e një sistemi të sëmurë, ku pushteti, paratë dhe korrupsioni ecin bashkë, ndërsa populli dhe emigranti mbeten gjithmonë në fund të listës.

Është koha të kthehet vëmendja nga ata që votojnë, që besojnë, që sakrifikojnë. Është koha që euroja e emigrantit të mos trajtohet si burim fitimi për një grusht njerëzish, por si mund i ndershëm që meriton respekt.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*