Ilir Meta
Kreu i shtetit Ilir Meta ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit ‘Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut’.
Pas përfundimit të saj, në një prononcim për mediat, Meta ka komentuar paketën Anti-shpifje dhe i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do e dekretojë apo jo ligjin për mediat të propozuar nga qeveria dhe të miratuar nga Kuvendi.
‘Paketën do e shoh me vëmendje se vazhdimisht është folur për ndryshime të ndryshme dhe të minutave të fundit. Përgjigjia ime do të jetë në kohën e duhur, e drejtë dhe transparente, si gjithmonë’, tha Meta
I pyetur nga gazetarët çfarë mendonte mbi një bashkëpunim politik në situatën pas tërmetit, ai u shpreh:
‘Kërkohet një angazhim shumë i fortë i brendshëm dhe i jashtëm për të përballuar të gjitha ato pasoja të mëdha, këto janë pasoja që do paguhen nga taksapaguesi shqiptar. Shqetësimi im më i madh është një tërmet më i madh, që lidhet me hemorragjinë ose atë që unë e quaj pa frikë shpopullim. Ishte tronditëse për mua të lexoja statistikat të cilat tregonin qartë rritje shqetësuese prej 16 për qind nga janari-tetori të kërkesave për azil krahasuar me një vit më parë. Përqindje disa herë më e lartë krahasuar për banor me Serbinë.
Këto duhet të na bëjë të reflektojmë rreth këtij konflikti skizofrenik, por dhe vetë shqiptarët ti thërrasin mendjes, se mund të ikin në gjithë botën, por do të humbasin përgjithmonë atdheun e tyre.
Shpresoj që ky fundviti dhe ky tërmeti me shumë pasoja na mësoi që më e rëndësishme është jeta dhe shëndeti e dashuria për njëri tjetrin të na ndihmojë për reflektim për një politikë të re që garanton një qeverisje llogaridhënëse’.




