ETLEVA DELIA/ Bashkëshortja e Përparim Ademit (Telës), Vjollca, pak ditë pas krimit të rëndë, ku burri i saj vrau të dashurën dhe motrën e saj, ka bërë kallëzim në Polici dhe ka kërkuar mbrojtje nga shteti për shkak se thotë që ka marrë kërcënime.

Në një prononcim për mediat, Vjollca tha se tre persona i kanë dalë dje përpara vajzës së saj dhe e kanë kërcënuar. “Po, kam kërkuar mbrojtje, e kanë bërë fëmijën copë nga këmbët. Kam bërë kallëzim penal, dua mbrojtje nga shteti, ose të më vinë të më vrasin të gjithë”, u shpreh dje ajo. Ndërsa sa u përket akuzave të ngritura nga motra e vëllai i viktimave për shitje të foshnjave në Greqi, ajo i hedh poshtë, duke pretenduar se nuk janë të vërteta. “Akuzat për trafik nuk janë të vërteta. Asnjë fëmijë. Më vjen turp, ata duan pasurinë, duan këtë shpinë. Në asnjë mënyrë, nuk është trafikuar asnjë fëmijë”, tha dje Vjollca Tela, bashkëshortja e autorit të dyshuar të ngjarjes. Më poshtë dëshmia që ajo ka dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.

DEKLARIMI I GRUAS SE AUTORIT

Policia Gjyqësore ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale bashkëshorten e Perparim Ademit, Vjollca Telën, e cila ka shpjeguar se: Është banore e Tiranës dhe ka adresën e gjeneralitetet e mësipërme dhe është e komunitetit egjiptian. Është e martuar me shtetasin Përparim Ademi dhe kanë tri fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Aktualisht është e papunë, ndërsa burri i saj, Përparimi, punon si bojaxhi, kovaç etj. Ajo me bashkëshortin kanë bërë marrëveshje që ajo të mbajë mbiemrin Tela, ndërsa ai të mbante mbiemrin e saj, Ademi, kjo më shumë për të forcuar martesën. Burri i saj, Përparimi, që prej një periudhe rreth 20 vjetësh është njohur me shtetasen Zhaneta Metani dhe kanë pasur lidhje intime bashkë. Ajo e ka marrë vesh për këtë lidhje dhe nuk ka ndërhyrë për të prishur lidhjen e tyre pasi e donte burrin dhe për ta mbajtur familjen të bashkuar.

Duke parë që burri shkonte mirë me Zhanetën, ka menduar që të krijojë hyrje-dalje familjare me të, në mënyrë të tillë që edhe burri të ishte i kënaqur dhe familja e saj të mos prishej. Ata kanë krijuar marrëdhënie aq të mira me familjen e Zhanetës, saqë kanë shkuar familjarisht në plazh me të, kanë bërë pushime në Pogradec, në Greqi dhe në shumë vende të tjera.

Zhaneta ka fjetur bashkë me djalin e saj me muaj në familjen e tyre dhe ajo e ka pritur e përcjellë atë si mos më mirë. Nuk i ka ndërhyrë asnjëherë bashkëshortit se sa herë shkonte me Zhanetën, apo hynte dhe dilte në banesën e saj. Para dy ditësh e ka parë Përparimin shumë të mërzitur dhe e ka pyetur se çfarë problemi kishte që ishte ashtu. Ai i ka treguar se Zhaneta e kishte tradhtuar. Ajo i ka thënë që le ta tradhtonte, se në fund të fundit e kishte të dashur, por ai i mërzitur i ka thënë se do të largoheshin.

Bisedën me burrin e ka dëgjuar edhe djali i tyre. Më datë 31.12.2020 ajo deklaron se është zgjuar nga gjumi në mëngjes dhe ka parë bashkëshortin në shtëpi, i cili ishte i shqetësuar për shkak të Zhanetës. Ndërkohë, pasi ka bërë punët e shtëpisë, ka dalë për të bërë pazar dhe në kohën kur është kthyer në banesë, Përparimin nuk e ka gjetur aty. E shqetësuar në lidhje me këtë fakt, ka marrë në telefon Zhanetën, ku është përgjigjur duke qarë djali i saj, Anxhelo, i cili i ka treguar se Përparimi kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe kishte vrarë të ëmën e më pas i ka mbyllur telefonin. Ajo ka dalë nga banesa dhe është nisur në drejtim të shtëpisë së Zhanetës, por atje ishte Policia dhe ka ikur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*