Në korrikun e nxehtë të këtij viti, SPAK nxori 4 urdhër-arreste. Bisedat në SKY ECC kishin implikuar rëndë tre emra të sistemit të drejtësisë dhe një biznesmen, njëri prej tyre kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili u arrestua.

Prokurori i SPAK, Klodian Braho, lëshoi urdhër-arresti edhe për hetuesen Eriona Daupaj, bashkë me avokatin Radovan Çela, por këta të dy Policia e Shtetit nuk i “kapi” dot, duke ngritur dyshime për dekonspirim të operacionit.

Akuza kryesore për ta ishte implikimi për pushimin e hetimit të dosjes së ashtuquajtur “Toyota Yaris”, ku u gjetën 3.4 milionë euro që vinin nga trafiku i drogës.

Prokurori Zarka u arrestua me gjithë telefonin e tij që mbante aplikacionin Sky ECC, ndërsa Eriona Daupaj me Radovan Çelën, u larguan në kohë drejt Austrisë.

Kush i lajmëroi? Kush i strehoi?

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Austri ka si Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë shtetasin shqiptaro-austriak Fatmir Velaj, i cili prezantohet me emrin Fate Velaj.

60-vjeçari i lindur në Fier, Fatmir alias Fate Velaj, njihet si mik i ngushtë i kryeministrit Rama, i cili e promovoi nga piktor e kurator ekspozitash, në deputet dhe më pas ambasador.

Fate Velaj është martuar me Klara Daupi – Velaj, vlonjaten që ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare para vitit 2010, duke mbajtur vetëm atë austriake.

Klara Daupi është motra e Eriona Daupaj, të dyja njihen në Vlorë si bijat e Arjan Daupit, një oficer i njohur që ka shërbyer në Ishullin e Sazanit në kohën e diktaturës. Nuk kuptohet pse njëra nga motrat Daupi ka një prapashtesë “aj” në mbiemër, ndërkohë që janë të dyja bijat e Arjan dhe Manushaqe Daupit.

Një mesazh i mbërritur nga Vjena shkruante: “Eriona Daupi që kërkohet nga SPAK strehohet nga kunati Fate në ambasadë… po i bën letrat për shtetësi me emër tjetër.”

Nëse ky mesazh do rezultonte i vërtetë, do ishte një skandal i rëndë për diplomacinë shqiptare dhe vetë qeverinë, që do dilte e implikuar direkt.

Fakti që Eriona Daupi/Daupaj është motra e Klara Daupi-Velaj, gruas së ambasadorit shqiptar në Austri, konfirmohet edhe nga vetë Mark Zuckerberg me Facebook-un e tij, me një navigim të thjeshtë, sado që ato përpiqen të mos ekspozohen. Përse i ruhen faktit që janë motra?

Arian Daupi, babai i vajzës në kërkim, është parë disa herë me ambasadorin Velaj, në selinë e këtij të fundit.

A ka shkuar të takojë njërën vajzë apo të dyja? Kjo mbetet të sqarohet nga SPAK.

Ajo çfarë qarkullon nëpër korridoret e “drejtësisë” së tavolinave është se “Nikita” Daupaj kishte një komunikim kompromentues me shumë “koka” të sistemit të drejtësisë, një prej tyre në Sky ECC mbante nofkën “El Chapo”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*