Ndërsa implementimi i projektit “Lagjja ime…Administratori i pallatit tim” vazhdon normalisht, të shumtë janë ata që na përgëzojnë për këtë nismë në qytetin e Vlorës.
Tashmë janë bërë evidente përpjekjet dhe mundësitë për realizimin me sukses të arritjeve të synuara e të parashikuara qysh në fillimet e punës tonë në këtë projekt. Ngritja e ” grupeve kompetente” nga Bashkia Vlorë dhe përpjekjet për të hapur kursin e kualifikimit profesional pranë QFP, Vlorë na bënë besimplot që do tja dalim më së miri. Një masë e gjerë e qytetarëve, jo vetëm të Rajonit nr.1, e kanë vlerësuar e përqafuar këtë nismë që do t’i çojë drejt normalizimit të jetës komunitare me zgjedhjen e administratorit të pallatit.
Ky projekt po merr jetë dhe po shkon drejt suksesit në mbështetje të LëvizAlbania-s, një projekt i agjencisë zviceriane për zhvillim e bashkëpunim, SDC. Në kuadër të një fillimi të mbarë të “Fazës së dytë”, sot i referohemi numrit të shumtë të aktiviteteve të organizuara deri me tani nga grupit informal “Your Voice”, i cili është protagonist në këtë sipërmarrje të shëndetshme për komunitetin e ndërtesave me bashkëpronësi, në zgjedhjen e administratorit të tyre. Për të qenë modest në pritshmëritë tona, kjo nismë na ka mbushur me shpresë për t’ja dale mbanë, falë mbeshtetjes e mirëkuptimit edhe të banorëve të Rajonit nr. 1.
Sondazhet e bëra nga të rinjtë, aktivistë të grupit, kanë nxjerrë në pah, se një pjesë e konsiderueshme jo vetëm e dëshirojnë të kenë një administrator për mjediset e tyre të përbashkëta, por i njohin mirë funksionet e tij. Madje, e njohin ekzistencën e ligjit me nr. 10112 mbi “Administrimin e Bashkëpronësisë në Ndërtesat e Banimit” dhe dëshirojnë sa më shpejt të ngrenë “Asamblenë” e pallatit për të finalizuar zgjedhjen e administratorit të pallatit të tyre.
Të rinjtë e grupit “Your Voice” kanë takuar qytetarët dhe gjatë bisedave, në përgjigje të pyetjeve të tyre, kanë marrë një feedback i cili është pozitiv e premtues në arritjen e objektivave të synuara nga projekti “Lagjja ime…Administratori i pallatit tim”. Për mënyrën dhe funksionimin e ligjit mbi zgjedhjen e Administratorit në banesat me bashkëpronësi, veçanërisht në Rajonin nr. 1, kemi sensibilizuar nëpërmjet intervistave në terren dhe sondazheve në çdo pallat, ku të pyetur afërsisht në një mesatare prej 10 banorësh, 6 prej tyre i njohin mirë kompetencat e administratorit. Kjo e ka cuar njohjen dhe ndërgjegjësimin e tyre në një shkallë më të lartë vleresimi në lidhje me cfarë do të bëjmë në pallatin tone, qe nesër të jemi më mirë, më të qetë, të përfaqësuar e të certifikuar nga Bashkia Vlorë.
Banorët e pyetur në rrugë apo mjedise pranë pallatit, nga të rinjtë e grupit, janë shprehur se i njohin funksionin e administratorit të pallateve dhe e duan ndihmën e përkrahjen e Bashkisë, Vlorë. Madje, shpesh vijnë e na takojnë dhe kërkojnë të përfundojë sa më shpejt ky process dhe Bashkia, Vlorë t’i njohë administratorët e zgjedhur e t’i mbështesë.
Në një anketim të organizuar së fundmi nga gr. inf. “Your Voice”, nëpërmjet pyetsorit online, kemi arritur një pjesëmarrje të konsiderueshme ku 31.5% e kanë marrë informacionin nga rrjetet sociale facebook e instagram, 37.8 % nga Tv lokale,
26.8% nga njeri-tjetri, 68% e njohin ligjin mbi zgjedhjen e ‘Administratorit’, 73.2% e kanë zgjedhur një mirëmbajtës, 92. 1% e dëshirojnë zgjedhjen dhe formalizimin e administratorit, 83.5% e shohin Bashkinë, Vlorë si një support të rëndësishëm dhe e duan ndihmën e saj, 82.5% besojnë që një grua mund të jetë një administratore e mirë… dhe kështu vijon implementimi me sukses i projektit “Lagjja ime…Administratori i pallatit tim”, në lagjet e Rajonit nr. 1 në qytetin e Vlorës.
Në takimet e zhvilluara me banorë të Rajonit nr.1, ne si grup, kemi arritur të takojmë thuajse 90% (përfaqësues të familjeve të tyre) të banorëve të pallateve në Rajonin nr. 1 dhe më tej, e kemi ndihmuar në zgjedhjen e një numri të konsiderueshëm mirëmbajtësish, të cilët janë në pritje të regjistrohen nga Bashkia, Vlorë. Vetë serioziteti me të cilin ne e kemi ndërmarrë këtë nismë dhe aktivitetet e realizuara në fazën e parë, na kanë vënë para përgjegjësive dhe angazhimeve, për të qenë konkret dhe të besueshëm para banorëve. Ndër 6 administratorë të zgjedhur deri tani në Rajonin nr 1, 3 prej tyre janë gra, gjë që tregon se gratë mund të jenë administratore të mira për menaxhimin e mjediseve të tyre të përbashkëta.
Duke qenë aktiv dhe me përgjegjësi të plotë, po përpiqemi që hapat e ndërmarra të jenë premtuese dhe ne shpresëplotë në arritjen e rezultatit final. Një angazhim që e vuri Bashkinë Vlorë, të ndërmarrë një hap të rëndësishëm me ngritjen e “grupeve kompetente” në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së administratorit të banesave me bashkëpronësi. Ngritja e task forcës nga Bashkia Vlorë, zgjedhja e disa administratorëve, të cilët janë në pritje për t’u formalizuar nga Bashkia, na vuri para sfidave, për t’i kualifikuar ata. Ky është një hap me tej, për të hapur një mundësi kualifikimi nga QFP, Vlorë, në mbështetje të ligjit 19. 02. 2015, i nënshkruar nga Ministrja Gjermeni e asaj kohe. Në këtë mënyrë do të arrihet formalizimi i tyre nga Bashkia, Vlorë. Një gjë është mëse e qartë, të gjitha hallkat në këtë “zinxhir”, duket se po superohen duke dhënë miratimin e tyre në arritjen e qëllimit, zgjedhjes dhe formalizimit të administratorëve në banesat me bashkëpronësi.
Faza e dytë e projektit sapo ka nisur dhe implementimi i tij vazhdon me të njëjtin intesitet per të zgjedhur administratorin dhe ndihmuar në formalizimin e tij nga Bashkia, Vlorë.
Shkrimi nga Deni Llanaj