Nga: Agron Brataj

Zgjedhjet e fundit parlamentare sollën, si zakonisht, më shumë se një fitore dhe një humbje numerike. Ato nxorën në pah dramën e përfaqësimit të munguar, të individëve të ndershëm që përballë pazareve politike humbin jo për shkak të votës së popullit, por për shkak të kalkulimeve të errëta mes elitave. Rasti më i qartë është ai i Atird Hoxhës, kandidatit nga radhët e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës një zë opozitar autentik, që, ndonëse zhvilloi një fushatë model, u la jashtë Parlamentit në minutat e fundit.

Një zë i pakompromis për qytetin

Atird Hoxha nuk është thjesht një emër në një listë kandidatësh. Ai është i vetmi opozitar që prej vitesh ka qëndruar në mënyrë të pandërprerë pranë qytetarëve vlonjatë, duke qenë  në çdo kauzë lokale dhe kombëtare. Si anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, ai ka folur vazhdimisht për problemet e komunitetit, duke qenë jo vetëm kritik i qeverisë, por edhe një zë i arsyes brenda opozitës. Çdo ditë, çdo hall, çdo padrejtësi që ndodh në qytet Atird Hoxha është aty.

Ndryshe nga shumë politikanë që zbresin në qytet vetëm për fushatë, ai jeton aty. Jeton me të mirat dhe problemet e qytetit. Ai nuk është një turist politik  ai është produkt i këtij qyteti dhe zgjidhje për të.

Një fushatë me program dhe përulësi

Në një kohë kur fushatat politike në Shqipëri dominohen nga fjalë boshe, premtime bajate dhe koncerte, Atird Hoxha zgjodhi të bëjë diçka ndryshe. Ai doli para qytetarëve me program në dorë, me përulësi, pa asnjë arrogance, duke kërkuar votën me argumente, jo me presione.

Ndoshta i  vetmi kandidat nga të gjitha forcat politike në qarkun e Vlorës që nuk e bëri fushatën një teatër personal, por një përpjekje për të kthyer shpresën.

Padrejtësia e mandatit të humbur

Përkundër të gjithë këtyre vlerave, Atird Hoxha humbi mandatin për shkak të votave të diasporës, dhe për më tepër, si pasojë e një marrëveshjeje të heshtur politike, ku kandidatura e tij u “sakrifikua” për t’ia lënë vendin Vangjel Dules, një politikan që nuk është as anëtar i Partisë Demokratike dhe që, në sytë e shumë qytetarëve, nuk përfaqëson as aspiratat e opozitës shqiptare në Vlorë.

Ky nuk ishte thjesht një ndryshim renditjeje. Ishte një grabitje politike. Të mos e themi me zë të ulët, ky ishte një nder i bërë nga lidershipi i PD-së për aleanca të dobëta e të vjetruara, që vetëm sa kanë dëmtuar identitetin dhe qëndrueshmërinë e së djathtës në këtë qark.

Dhe kjo nuk ndodhi në heshtje ndodhi me lejen dhe vendosmërin e atyre që duhej të mbronin figurat si Atird Hoxha, jo t’i sakrifikonin.

Pyetja që lind natyrshëm: Çfarë duhet të ndodhë tani?

Koordinatori i qarkut të Vlorës dhe çdo zyrtar i deleguar që mori pjesë në këtë kompromis, duhet të marrin përgjegjësi. Minimumi moral është dorëheqja, për të lënë vendin një personi që vërtet përfaqëson qytetarët dhe jo pazaret. Për të lënë hapësirë dikujt që e ka fituar besimin e komunitetit me punë, jo me pazare.

Atird Hoxha nuk është thjesht një kandidat i humbur. Ai është i vetmi mbështetës real dhe kontribuues i Partisë Demokratike në Vlorë. Nëse PD do të ketë ndonjëherë shans për t’u ringritur në këtë qytet, kjo do të ndodhë vetëm nëse figura si Atird Hoxha marrin vendin që u takon në Parlament, në vendimmarrje, në drejtimin e strukturave.

Fundi i heshtjes ose fundi i opozitës reale

Nëse opozita dëshiron të jetë e besueshme, duhet të mbështesë figurat që kanë mbështetje reale, jo ata që ulen në tryeza për interesa personale. Nëse drejtuesit e PD-së vazhdojnë të injorojnë zëra si Atird Hoxha, atëherë nuk do të kemi vetëm largim nga politika të individëve të ndershëm,

do të kemi  largimin e qytetarëve nga besimi tek opozita.

Vlora ka folur. Njerëzit e kanë parë dhe mbështetur Atird Hoxhën. E tani politika duhet të dëgjojë, ose të përgatitet për të humbur një brez të tërë votuesish që nuk besojnë më në drejtësi dhe përfaqësim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*