Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokon 27.642 ton produkte të pasigurta në Fier, Korçë, Durrës dhe Shkodër. AKU ka ndëshkuar me 3.5 milion lekë gjobë 3 subjektet ku u gjetën produktet dhe për 2 prej tyre ka vendosur edhe mbylljen e aktivitetit.

Nga kontrollet ka rezultuar se një ngarkesë me produkte importi dhe disa subjekte nuk përmbushnin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore, më konkretisht:

-Në një subjekt në Korçë me aktivitet “Prodhim, përpunim, ambalazhim, etiketim të salcave të ndryshme dhe produkteve me origjinë të përzier”, u konstatua se pasi kishte aplikuar për t’u pajisur me licencën përkatëse (kategoria II. 1. A) kishte vijuar aktivitetin pa marrë miratimin, si dhe pjesërisht pa sistem gjurmueshmërie. U evidentuan një sërë produktesh lëndë të para (erëza 66 kg), të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit, si dhe produkte me etiketa të panotifikuara nga ana e AKU-së (salcë 163 kg, mustardë 400 kg, kokteil 13 kg etj.), si dhe të dhënat në etiketë nuk përkonin me përshkrimin e produktit në kartën teknologjike.

-Subjekti me aktivitet “Supermarketi”në  Çermë të Fierit, ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse, pa sistem gjurmueshmërie dhe pa planin/manualin e vetëkontrollit (HACCP).

-Ditën e djeshme në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës nga ana e inspektorëve të AKU u ushtrua kontroll në një ngarkesë me sasi totale 27 ton “mish pule” me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë, e cila rezultoi se nuk plotësonte kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore pasi kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (pavlefshmëri të certifikatës veterinare). Për rrjedhojë, u arrit në përfundimin se ngarkesa me produkte importi është e pasigurt për konsum njerëzor dhe u vendos kthimi i saj në vendin e origjinës.

-Subjekti me aktivitete “Njësi prodhim, tregtim buke dhe Mëngjezore” në Bërdicë, Shkodër, i inspektuar në kushtet e flagrancës, ushtronte aktivitetin i parregjistruar në QKB (shkelje për të cilën u bë njoftimi i strukturave të Tatim Taksave Shkodër), pa sistem gjurmueshmërie, si dhe me kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (pajisjet e punës të papastra dhe me prani ndryshku, muret të dëmtuara, tualeti me dalje të drejtpërdrejt në ambjentet e punës dhe pa analiza të ujit të pijshëm).

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*