Nga Agron Brataj
Deputetë të rinj me bllok në dorë, por pa premtime në mendje
Blloku i zi ka zbritur në terren. Aty do të shkruhen hallet e vlonjatëve ose kështu thuhet. Por lind një pyetje e thjeshtë çfarë mësuan këta në 30 ditë fushatë? Apo as vetë nuk e dinë çfarë premtuan?
Nuk është se s’i thanë qytetarët hallet. Ata që duhej të dëgjonin, ishin thjesht të zënë me shfaqje. Sot, në vend që të nisin zbatimin e premtimeve, po luajnë lojën e heshtur të pozave në terren.

Kryeministri bërtiti para pak ditësh në Vlorë, kërkoi rezultate, vuri detyra, e më pas u largua. Ndër to panelet diellore në Kaninë, uji i Tragjasit, apo projektet në Akërni. Por këto nuk i gjen në bllok. Aty nuk shkruhen projektet e mëdha, por thjesht ca rreshta për sy e faqe.
Kryetarit të bashkisë nuk i thonë dot asgjë. E vetmja zgjidhje? Të luftojnë njëri-tjetrin. Keni nisur të formoni grupe të reja brenda partisë sepse pa luftë të brendshme, s’dini të funksiononi. Lufta e heshtur ka nisur pa u ulur ende në karriget e parlamentit.
Dhe ndërkohë, me arrogancë po shmangin ata që kontribuuan për vite. I larguan si të padobishëm, pa reflektuar për gabimet që vetë po i përsërisin. Harruan që shumë nga ata “të vjetër” kanë bërë më shumë për Partinë Socialiste dhe për administratën sesa kanë bërë vetë në të gjithë fushatën.
Deputetët e rinj kanë dalë në terren për të shmangur zhurmën që bëri kryeministri në Vlorë për të kaluar me heshtje panelet djellore në Kaninë dhe projektet e ujit në Tragjas, të Zamira Manes. E ndërkohë, me bllok në dorë dhe sy nga kamera, bëjnë sikur nuk po ndodh asgjë.





