Brunilda Mersini prezantohet si kandidate për deputete në Qarkun e Vlorës
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në ambientet e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, u zhvillua sot prezantimi zyrtar i Brunilda Mersinit si kandidate për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës.
Në këtë aktivitet morën pjesë figura të rëndësishme të jetës politike dhe institucionale, përfshirë drejtuesin politik të Qarkut, Bledi Çuçi, kryetarin e Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ministrin Pirro Vengu dhe znj. Bello Vilma. Mbështetja e tyre e qartë u konsiderua si një mesazh besimi jo vetëm për kandidaturën e Mersinit, por për gjithë skuadrën e Partisë Socialiste në këtë qark.
E rrethuar nga mbështetës, kolegë, qytetarë dhe simpatizantë të PS-së, Mersini falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre, duke theksuar se ky është një rrugëtim i përbashkët dhe një angazhim për të ardhmen e përbashkët të Vlorës.
“Faleminderit për forcën, kurajon dhe besimin që më keni dhënë për ta nisur këtë rrugë,” u shpreh ndër të tjera Brunilda Mersini.