Në një bashkëbisedim me një grup mësuesish, të cilët në këtë kohë pandemie po e ushtrojnë profesionin e tyre online si dhe në televizion, kryeministri Edi Rama deklaroi ndër të tjera se hapja e shkollave pritet të sjellë rritje të konsiderueshme të mundësisë së transmetimit të Covid-19, teksa shpjegoi nga ana tjetër përse opsioni i mbylljes së shkollave ishte opsion më i keq.

“E dimë mirë që me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe është një sfidë më vete. Por duke vlerësuar këtë vendim dhe duke parë edhe çfarë kanë bërë të tjerët opsioni i mbylljes së shkollave ishte opsion më i keq dhe patjetër që do të shkaktonte një kosto tjetër, sidomos psikologjike për fëmijët me pasoja që ne nuk i llogarisim dot deri në fund, por që të gjitha vendet i kanë marrë në konsideratë dhe i kanë cilësuar si të papranueshme në raport me rrezikun që ka në vetvete hapja e shkollave”, tha Rama.

Më tej shtoi:

“Për t’u kthyer te kanali RTSH Shkolla mendoj se ka vlerë të madhe jo thjesht prej kësaj situate, që patjetër që do mbarojë, por ka një vlerë të madhe në dy aspekte të tjera. Njëri aspekt është mundësia që i jepet çdo nxënësi kudo ku ndodhet që të bëjë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë dhe ta dëgjojë, ta ndjekë edhe me një mësuese që nuk e njeh, që nuk e ka në klasë të vet, një nga më të mirat në Shqipëri dhe të plotësojë bindjen e vet për atë lëndë. Nga ana tjetër kjo patjetër që do të sfidojë pozitivisht mësuesit e tjerë të cilët në shkollat e vendit japin lëndët që jepni ju dhe që do të kenë parasysh faktin se të njëjtin mësim që ato po japin do të mund ta shohin në versionin e një mësuese që është mësuese e kalibrit më të lartë që ne kemi. Kjo do të shtojë një mundësi deri dje jo të madhe që sistemi është përpjekur ta kompensojë përmes trajnimeve, aktualizimit të metodave të mësimdhënies, sepse dhe vetë mësuesit e tjerë me siguri që do shtyhen të shohin se si ju jepni mësim. Ka dhe një drejtim tjetër që me këtë kanal lehtësojmë barrën e fëmijëve dhe prindërve në zona më të thella, ku për një mijë e një arsye është  trashëguar sistemi i klasave kolektive që ne po i reduktojmë deri në mbyllje dhe kështu vetë sistemi do të fillojë të adaptohet duke ndarë mësimin e lëndëve të caktuara në televizion dhe aktivitete të tjera në shkollë. Besoj që asnjëherë ekrani i kompjuterit apo i celularit nuk e zëvendëson dot marrëdhënien e mësimdhënies dhe mësimnxënies në realitetin e prekshëm”, u shpreh Rama.


Albaniatimes.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*