Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar të gjithë deputetët, që janë të pranishëm në seancën e sotme plenare, ku pritet të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, se do të mbajnë përgjegjësi, nëse ngrenë dorën për t’i votuar ato.

Presidenti Meta tha se do të ketë një faturë shumë të madhe historike dhe individuale për të gjithë ata deputetë, që i votojnë këto ndryshime.

“Vendi ynë duhet të ishte sot në BE, por ka humbur shumë kohë. Për fat të keq ne jemi vonuar. Shpresoj që sot të merret një vendim i drejtë, të respektohet marrëveshja e 5 qershorit. Cdo prekje e njëanshme e marrëveshjes historike të 5 qershorit do të jetë një faturë shumë e madhe historike dhe personale për të gjithë ata që do të ngrenë dorën kundër integrimit evropian të Shqipërisë, pasi i kemi paralajmëruar në mënyrë të qartë dhe të vazhdueshme.

Vetëm duke respektuar marrëveshjen, duke bërë zgjedhje të lira e demokratike, ne çelim negociatat, por edhe japim shembull për cdo vend tjetër. Maqedonia e Veriut na ka dhënë një shembull të shkëlqyer se si kapërcehen problemet e brendshme dhe si zgjidhen krizat. Të mos harrojë asnjë deputet se përgjegjësia e tij do të jetë individuale, nëse ngre dorën kundër të ardhmes evropiane”, deklaroi Meta.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*