Të gjithë sytë ishin drejtuar nga ajo. Askush nuk do ta falte, nëse Stephanie do të gabonte. Por, Stephanie Frappart nuk dështoi në provën më të rëndësishme, atë që ndryshoi jetën e saj dhe i lejoi të hynte në histori si arbitrja e parë femër që drejton një finale të futbollit për meshkuj të organizuar nga UEFA.

E përqëndruar gjatë nxehjes dhe e buzëqeshur me asistentet e saj Manuela Nicolosi dhe Michelle O’Neill, francezja arriti të fshehë në mënyrën më të mirë emocionet dhe presionin mbytës të një ndeshje siç ishte finalja e Superkupës së Europës mes Liverpool dhe Chelsea.

“Dua vetëm diçka. Të gjykohem vetëm si arbitër dhe jo si femër. Rregullorja dhe aplikimi i saj është i njëjtë për të gjithë”, u shpreh Stephanie Frappart përpara ndeshjes, duke dashur t’i bëjë gjërat e qarta që në fillim.

Dhe në fushën e lojës, 35-vjeçarja franceze ishte e sigurtë dhe autoritare bashkë me asistentet e saj. Asnjë paqartësi në momentet deçizive të ndeshjes. I rregullt pozicioni i Giroud në golin e epërsisë për Chelsea, ndërsa I saktë dhe vendimi për të anuluar rrjetën e Pulisic për një pozicion jashtë loje. E saktë edhe në akordimin e golit të barazimit të shënuar nga Mane, pavarësisht protestave të londinezëve për një ndërhyrje të gabuar në dëm të portierit.

Edhe goli i Mount duhej anuluar, ndërsa sistemi VAR i drejtuar nga kolegët e saj meshkuj dhe me shumë eksperincë të të tilla sfida i jep të drejtë në akordimin e 11-metërshit që vulosi barazimin 2-2 në kohën shtesë. Gjithmonë shumë afër aksioneve dhe e ekuilibuar me kartonët, ndërsa asnjëherë e intimiduar nga lojtarët në fushë. Të gjithë vlerësime pozitive për arbitren që ndryshoi historinë e futbollit, duke thyer një tjetër tabu në sportin më të dashur në botë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*