Nga Ardit Nenaj

Genoa vazhdon të shkëlqejë jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj falë mbështetjes së jashtëzakonshme të tifozëve. Pas rikthimit në Serie A në sezonin 2023/24, tifozët rossoblù vazhdojnë të thyejnë çdo rekord dhe për të tretin vit radhazi kanë vendosur një rekord të ri absolut të abonimeve për klubin.
Pas 27.777 abonimeve në sezonin 2023/24 dhe 28.093 në sezonin që sapo përfundoi, për sezonin e ardhshëm që nis më 23 gusht me sfidën ndaj Lecce-s në shtëpi klubi ka regjistruar plot 28.101 abonime.
Një shifër e jashtëzakonshme që, së bashku me disa vende të pakta të mbetura në shitje të lirë, ka ndihmuar Genoa-n të mbajë një mesatare prej 31.579 shikuesish për ndeshje në kampionatin e fundit, pavarësisht se një ndeshje (ajo ndaj Juventusit) u luajt me dyer të mbyllura për shkak të incidenteve pas derbit të Kupës së Italisë në shtator 2024.
Falë këtyre shifrave, Genoa u rendit në vendin e shtatë për numrin mesatar të spektatorëve, menjëherë pas klubeve të mëdha si Milan, Inter, Roma, Napoli, Lazio dhe Juventus. E lartë ishte edhe përqindja e mbushjes së stadiumit, që arriti në 94.45%, duke e vendosur Genoa-n në vendin e pestë, në të njëjtin nivel me Milanin.
Duhet theksuar se kapaciteti i stadiumit “Luigi Ferraris” është reduktuar nga 37 mijë në pak më shumë se 33 mijë vende, për shkak të punimeve për modernizimin e infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e sky box-eve të reja.




