Sistemimi i rrugëve të brendshme të fshatit Bishan tanimë ka përfunduar duke transformuar plotësisht këtë zonë rurale të Vlorës. Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, Kryetari i Këshillit të Qarkut Ervis Moçka dhe nënkryetari i Bashkisë së Vlorës Afrim Qendro panë nga afër investimin.

“Sot patëm rastin të shohim përfundimin e sistemimit të rrugëve të fshatit Bishan. Siç e shikoni është bërë një punë e mrekullueshme, fshati është tërësisht i transformuar. Jo vetëm rrugë të asfaltuara me standardet që duhen por edhe me një ndriçim të ri. Edhe pse kishte skeptik që mendonin se këto gjëra bëheshin për fushatë, e vërteta është se këto nuk janë për fushatë. Projektet për Vlorën asnjëherë nuk janë për fushatë por projektet do të vazhdojnë. E kemi thënë se synimi i mandatit të tretë të qeverisjes socialiste është ndërhyrja sa më shumë në zonat rurale. Ky është një shembull konkret ashtu sikurse ka dhë shembuj të tjerë konkret në njësinë Novoselë si mbrojtja lumore, apo ndërhyrje të tjera që janë duke u projektuar apo zbatuar në fshatra tjera të kësaj njësie”, theksoi Gjiknuri.

Më tej, ai falenderoi edhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut për punën e bërë për tërheqjen e këtyre financimeve ashtu sikurse nënkryetarin e Bashkisë së Vlorës për ndihmën në hartimin e projekteve.

“Unë dua të falenderoj Këshillin e Qarkut dhe Kryetarin e Këshillit që është djalë i kësaj zone. Ka bërë punë maksimale për ta sjellë në jetë këtë projekt, për ta financuar këtë projekt dhe normalisht është një model që ne duam ta promovojmë edhe në vende të tjera. Aty ku ka dëshirë dhe ka një bashkëpunim të mirë me komunitetin edhe produktet janë ato që kërkojnë njerëzit dhe kjo duket me sy. Unë dua përgëzoj për punën e mirë edhe nënkryetarin e Bashkisë për mbështetjen që ka dhënë për projektimin e kësaj rruge. Këto nuk do të jenë projektet e fundit por siç e thashë do të vazhdojmë për ta ndryshuar Vlorën çdo ditë”, u shpreh Gjiknuri.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*