
Damian Gjiknuri, zhvilloi takim me banorë të Sherishtës, Babicës së Vogël dhe Babicës së Madhe.
Duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen masive në këtë takim, Gjiknuri pohoi se, më 11 Maj të gjithë kanë një motiv shumë të fortë për të votuar për Partinë Socialiste. PS në Vlorë ka bërë shumë punë të mira. Vlora është qyteti që po transformohet më shumë dhe kjo e ka një emër, qeveria e Partisë Socialiste. “Zhvillimi që po pëson në vazhdimësi Vlora, do të ndikojë dhe në zonat shumë pranë saj, siç jeni dhe ju. Do të ketë më shumë ekonomi për të gjithë zonën, dhe të gjithë ata që merren me aktivitete nga më të ndryshmet do të kenë më tepër interes dhe më shumë punë për të bërë dhe natyrisht do të kenë më shumë të ardhura, pasi është zinxhir. Të ardhurat në ekonomi do të sjellin më shumë të ardhura në bashki, për shkak të turizmit dhe taksës së ndërtimit. Kjo përkthehet në më shumë mundësi për investime në njësitë administrative, për rrugë, ndriçim publik, kanalizime, investime këto të domosdoshme për Njësitë Administrative.

“Rikthehem përmes kandidaturës sime në listë të hapur, me dëshirën për t’ju përfaqësuar. Unë jam një politikan i provuar, pasi kam drejtuar politikisht Qarkun e Vlorës, përmes modelit gjithpërfshirës që kam ofruar, duke ruajtur standardet. Unë nuk garoj thjesht për të marr një mandat, por kërkoj mbështetjen masive të banorëve, për modelin politik që përfaqësoj, në mënyrë që të jem një zë i fortë për adresimin e problematikave të komunitetit drejt zgjidhjes. Do të doja mbështetje masive për të qenë dhe çelsi i duhur përmes së cilit të hapen dyert për zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave tuaja. Një zë i fortë dhe njohës i problemeve mund të ndikojë shumë mirë në bashki për zgjidhjen e problematikave, për prioritetet e investimeve dhe në qeveri për të marrë sa më shumë projekte për zonat tuaja. Ju duhet të votoni duke u bazuar tek interesi i komunitetit tuaj”, theksoi Gjiknuri.
Gazetarja Anila Ahmataj, e cilësoi Gjiknurin si kandidatin që ofron garanci në fjalën që jep, pasi e ka faktuar me punë përkushtimin e tij ndaj qytetarëve të Vlorës dhe banorëve të Njësive Administrative.





