Ilirjan Celibashi merr zyrtarisht detyrën si Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Gjatë fjalës së tij të parë para mediave ai tha se udhëhiqet nga integriteti, paanësia dhe transparenca.

“Përgjegjësia si komisionr që duhet të reflektoj është një sfidë e vështirë e imponuar edhe nga koha, por gjej rastin ta theksoj se qoftë veprimtaria ime si Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve por edhe e KQZ do të karakterizohet nga disa parime kryesore si: integriteti, paanësia dhe transparenca

Gjej rastin të inkurajoj median të ketë bashkëpunim të hapur me KQZ dhe me mua si Komisioner Shtetëror. Ky bashkëpunim është në interes të procesit, të shqiptarëve por edhe faktorit politik. Sfida kryesore për ne është çështja e teknologjisë së informacionit. Ne do bëjmë të pamundurën që ta realizojmë këtë proces, por koha ka bërë që edhe çështje të tjera të aspektit zgjedhor të jenë po me kaq prioritet.
tha ai.

Sipas Celibashit, “Institucioni i KQZ ka një përbërje të tillë që do krijojë besim edhe te forcat politike sa i përket paanësisë.

I pyetur për shpejtësinë e numërimit të votave, Celibashi tha se do jetë një tjetër çështje në fokusin e punës së institucionit që drejton.

“Edhe kjo çështje që meriton adresim të shpejtë dhe me shumë kujdes nga ana jonë, sepse përdorimi i teknologjisë së informacionit si risi dhe disa procedura kanë atë impaktin e vetë lidhur me kohën e nxjerrës së rezultatit Do bëjmë të mundur gjithçka që na lejon ligji”,- shtoi ai.

Sa për proceset zgjedhore ndër vite, të kontestuara nga palët politike, Celibashi tha se ato nuk mund të shihen të gjitha gri apo të zeza.
“Unë mendoj që edhe në të shkuarën ka pasure zgjedhje të pranuara nga palët: 2005 dhe 2013, ku ndonëse faktori ndërkombëtar ka pasur vërejtje kjo nuk është një situatë kaq gri apo e zezë. Kanë marrë vlerësim nga ndërkombëtarët qoftë për procesin ashtu edhe për punën e KQZ-së”,- tha Celibashi.

Ndërsa nënkomisionerja e KQZ-së, Lealba Pelingu u shpreh besimplotë se do ja dalin të ecin përpara me sfidat që kanë.

KUSH ESHTE CELIBASHI

Deputetët e Kuvendit votuan të hënën në krye të institucionit më të rëndësishëm të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin, figurë e cila mori edhe pëlqimin e opozitës jashtë parlamentare. Deputetët e pranishëm në seancë i dhanë besimin me 106 vota pro, Celibashit në postin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ilirjan Celibashi vjen nga një eksperiencë e gjatë si jurist i spikatur dhe me administrimin e zgjedhjeve. Kujtojmë se ka drejtuar KQZ në periudhën 2001 – 2006, ku përgatiti dhe administroi Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2001 dhe 2005, si dhe Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2003. Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të 23 qershorit 2013, z. Celibashi u zgjodh deputet i Qarkut të Fierit, për Partinë Socialiste, ndërsa mori postin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Tashmë ai do të mbajë detyrën e Komisionerit shtetëror të zgjedhjeve me një mandat 7-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Komisioneri Shtetëror është organ monokratik me kompetenca kryesore, drejtimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë se administratës zgjedhore gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve. Emëron dhe shkarkon anëtarët e KZAZ-ve. Miraton shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet për Kuvendin dhe për këshillat vendore, si dhe jep mandatet për çdo deputet. Struktura e KQZ-së së re përbëhet nga 3 organe drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator me 5 anëtarë dhe mandat 5-vjeçar, si dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, gjithashtu me 5 anëtarë, por me mandat 9-vjeçar.

Lealba Pelingu është zgjedhur me 105 vota në postin e nënkomisionerit shtetëror të zgjedhjeve. Zonja Pelingu vjen nga radhët e PD-së, pasi ka mbajtur postin e drejtueses së Departamentit antikorrupsion në Partinë Demokratike. Emra të njohur gjithashtu janë miratuar edhe në përbërje të Komisionit të ri Zgjedhor, ndër to edhe avokati i njohur Ledio Braho. Kujtojmë se Braho ka bërë mbrojtjen e ish-deputetit Ervin Salianji në çështjen e njohur si dosja “Babale”.

Pjesë e listës së re përbërëse janë edhe Elvis Çefa ish-nën kryetar i KLD, si edhe Helga Vukaj , ish-ministre e Financave në qeverinë teknike të 2017, e cila ka punuar për vite me radhë në administratën e lartë shtetërore, duke mbajtur poste nga më të ndryshmet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*