Nga Brunilda Tafili
Klubi duhet të sistemojë dy lojtarët jashtë planeve, iraniani nuk ka ende oferta konkrete, ndërsa shqiptari i ka refuzuar ato që i janë bërë
Të tepërt, të panevojshëm kështu mund të përkufizohen sot situatat e Mehdi Taremit dhe Kristjan Asllanit në shtëpinë e Interit. Sulmuesi iranian dhe mesfushori shqiptar nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit dhe të drejtuesve të klubit, një gjë tashmë e ditur dhe e pranuar, por që merr drejtime të ndryshme për secilin prej tyre.
Asllani refuzon, por pret një klub më ambicioz
Për Kristjan Asllanin kanë mbërritur disa oferta konkrete më seriozja ajo nga Betis Sevilla për rreth 15 milionë euro por lojtari i përfaqësueses shqiptare i ka refuzuar të gjitha, përfshirë edhe propozimin e fundit nga Sassuolo. Ai dëshiron të qëndrojë në Itali, por kërkon një skuadër të nivelit të mesëm-lartë, që merr pjesë në kupat evropiane.
Për këtë arsye, mesfushori pret një hap konkret nga Bologna apo Fiorentina, që gjatë muajit të kaluar kishin shprehur interes, por ende nuk kanë bërë ofertë zyrtare. Ndërkohë, Interi ka gjithnjë e më shumë frikë se mund të detyrohet ta huazojë lojtarin me të drejtë blerjeje një formulë që nuk i pëlqen aspak klubit, i cili ka nevojë të arkëtojë menjëherë për të financuar afrime të tjera, përfshirë transferimin e mundshëm të talentit Leoni.
Taremi, i hapur për largim me kusht që të qëndrojë në Europë
Situata e Mehdi Taremit është disi më e thjeshtë. Sulmuesi iranian, ndryshe nga Asllani, nuk do të kishte refuzuar një ofertë si ajo e ardhur për shqiptarin nga La Liga. Në pritje të kthimit të tij në Itali, Taremi ka njoftuar klubin se nuk do t’i vërë pengesa largimit të tij, me kushtin e vetëm që të vazhdojë karrierën në Europë. Kjo është arsyeja pse ka thënë “jo” ofertave të ardhura nga Brazili, konkretisht nga Flamengo dhe Botafogo.
Aktualisht, interesimi më i madh për Taremin ka ardhur nga Besiktas, ndërsa nga Premier League janë bërë vetëm disa sondazhe të vakëta. Interi e vlerëson kartonin e tij mes 8 dhe 10 milionë euro, por ndryshe nga rasti i Asllanit, mund të pranojë edhe një huazim, për të hequr barrën e pagës së tij që konsiderohet disi e rëndë për një lojtar jashtë planeve.





