Sistemi ETIAS ka kthyer në Shqipëri debatin për çështjen e rikthimit të vizave, por në fakt bëhet fjalë për Informacion mbi Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) për shtetasit shqiptarë dhe jo vetëm, një program i BE-së për sigurinë e kufijve të saj.

zyra e shtypit për migracionin dhe çështjet e brendshme të Komisionit Europian ka sqaruar se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Çfarë është ETIAS dhe kur nis zbatimi i saj? Sipas planifikimit aktual, ETIAS do të hyjë në veprim që nga fundi i vitit 2022. Autorizimi ETIAS është një autorizim udhëtimi, NUK është vizë dhe nuk rikthen detyrime të ngjashme me vizat. Thjesht është një hap i vogël procedural për udhëtarët pa viza për t’i ndihmuar ata të shmangin burokracinë dhe vonesat në kufijtë e BE-së. Do t’u sigurojë qytetarëve një tregues të hershëm të pranueshmërisë së tyre të mundshme për udhëtime në BE. Qytetarët që aktualisht shijojnë udhëtimin pa viza në Evropë do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Sapo ETIAS të jetë operacionale, qytetarët do të duhet të kërkojnë një autorizim ETIAS para vizitës së tyre në zonën Shengen. Do të duhen vetëm disa minuta për të plotësuar një aplikacion në internet i cili në një shumicë dërrmuese të rasteve (mbi 95%) do të rezultojë në aprovim automatik. Procesi do të jetë i thjeshtë, i shpejtë dhe i përballueshëm për të gjithë. Nuk do të jetë e nevojshme të shkoni në një konsullatë për të bërë një kërkesë, nuk do të mblidhen të dhëna biometrike dhe nuk do të kërkohet asnjë dokument shtesë përveç një dokumenti të vlefshëm të udhëtimit.

Ndërsa, si rregull i përgjithshëm, një procedurë e vizës Shengen mund të zgjasë deri në 15 ditë, dhe mund të zgjatet në disa raste deri në 30 ose 60 ditë, aplikimi online ETIAS merr vetëm disa minuta për të plotësuar dhe në shumicën e rasteve aplikanti do të marrë një përgjigje brenda pak minutash. Autorizimi do të jetë i vlefshëm për tre vjet, dukshëm më i gjatë se viza Shengen, dhe për hyrje të shumëfishta. Kjo nuk do të sjellë ndonjë barrë të madhe administrative për udhëtarët dhe i gjithë procesi do të jetë i shpejtë dhe i lehtë”, thonë burimet zyrtare të Komisionit Europian për tirananews.al.

Pyetjes nëse preken qytetarët që do të kalojnë tranzit në vendet e BE-së, a do të duhet të aplikojnë edhe ata për ETIAS, zyra e shtypit thotë se qytetarët që kanë si destinacion përfundimtar një vend jo të BE-së dhe që kalojnë tranzit nëpër aeroportet e BE-së nuk u kërkohet të aplikojnë për një ETIAS.

Në fakt ETIAS u krijua në vitin 2016, për tu bërë funksionale si zyrë në vitin 2018, si program synonte të filtronte udhëtarët që mbërinin nga vendet e tjera si një përgjigje për të siguruar kufijtë evropianë. Por a mund të themi se Shqipëria përbën rrezik për BE-në si një vend tranzit për emigrantët e paligjshëm, zyra e shtypit e Komisionit Europian e përjashton këtë.

Shtetasit e vendeve të treta që udhëtojnë pa viza dhe që planifikojnë të udhëtojnë në zonën Shengen do të duhet të aplikojnë për autorizimin e udhëtimit përmes sistemit ETIAS përpara udhëtimit të tyre, jo vetëm qytetarët shqiptarë.

ETIAS do të ndihmojë në plotësimin e një boshllëku informacioni në lidhje me qytetarët pa viza: do të ndihmojë në identifikimin e rreziqeve të sigurisë ose migracionit të parregullt që udhëtarët individualë pa viza mund të paraqesin përpara se të arrijnë në kufijtë e BE, ndërsa në të njëjtën kohë lehtëson kalimin e kufijve për shumicën dërrmuese të qytetarëve të cilët nuk paraqesin rreziqe të tilla, shprehet në përgjigjen zyrtare ndaj kërkesës për informacion të tirananews.al.

Për këtë çështje në konferencën e sotme për shtyp u pyet edhe kryeministri Edi Rama nga gazetarët i cili gjithashtu e quajti një fitër për sigurinë e kufijve të BE-së, por që e lidhi në fakt me verifikimin e personave që kanë një dosje kriminale e që tentojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Europian.

Sistem sigurie i BE, për të gjitha shtetet joanëtare të BE, qytetarët e të cilëve duan të hyjnë në BE dhe nuk ka nevojë për vizë. Për ata bëhet fjalë. Jemi në një shoqëri që besoj s’ka të sharë me amerikanët, zviceranët, britanikët, japonezët, që sistemi ETIAS do të duhet që para se të niset për në BE të ketë një aplikim online, pak minuta, dhe aplikimi nuk është për vizë, shpesh aplikimi yt futet në sistem dhe ti merr konfirmimin po online në një kohë shumë të shkurtër nëse je apo nuk je i lejuar të hysh në BE në bazë të kartelës kriminale. Nuk ka lidhje fare kjo me qytetarët që nuk kanë kartelë kriminale të regjistruar si person i terrorizmit apo krimin e organizuar. Pra, është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE, nuk është kthim prapa te viza, tha Edi Rama në konferencën për shtyp të kësaj të marte.

Ndërsa për ministrin për Europën dhe Punët e jashtme në detyrë Gent Cakaj, ky vendim mund të hyjë në fuqi në fillim të 2023, por që sipas tij është ende në diskutim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*