Hermes Nikaj, i njohur në botën e televizionit si Zogu i Tiranës, është liruar këtë javë nga Burgu 313 në Tiranë, pas gati pesë muajsh izolim. Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg”, në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Hermes është liruar nga qelia e paraburgimit dy ditë më parë, që pas arrestimit më 24 nëntor 2019, nën akuzat e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”. Nikaj u arrestua pas përgjimeve që e implikuan si pjesë të një grupi, që sipas Prokurorisë kryente prostitucion kundrejt pagesës.

Përgjimet e publikuara në media nxorën në dritë përfshirjen e një sërë personazhesh të tjera të njohura nga bota e showbizz-it, punonjës policie etj.

Tashmë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka liruar 26- vjeçarin, duke vendosur për të caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, duke e kyçur Zogun e Tiranës në shtëpinë e tij, pasi ende nuk i janë mbyllur hetimet.

“Panorama Plus” ka siguruar edhe fotot e para të Zogut pas lirimit. Vetë Nikaj, gjatë një interviste ekskluzive që dha nga burgu për “Panorama Plus”, u shpreh se shpresonte të përfitonte nga lehtësitë për faktin se ai s’ka qenë kurrë i dënuar më parë, është me arsim të lartë dhe se nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore.

Burime të afërta bënë me dije se 26-vjeçari nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore të zhvilluar të martën, kjo për shkak të problemeve shëndetësore që Hermes kishte pasur. Ai është përfaqësuar nga avokati i njohur Perlat Koçillari, që ka në ngarkim edhe dosjen e Nikajt.

Nipi i artistes së ndjerë, Pavlina Nikaj , Hermes, gjatë 2019- ës u komentua për jetën luksoze, blerje të shtrenjta, udhëtime të shpeshta dhe pushime në destinacionet më luksoze të botës, ku Zogu edhe i reklamonte fare hapur në rrjetet e tij sociale.

Së fundi, ai u pa në filmin “Falco” të Bes Kallakut, ndërkohë që pritet të rikthehet së shpejti në ekran. Ai është komentuar edhe për prirjet e tij homoseksuale, ndërkaq që vetë Hermes s’e ka pranuar një gjë të tillë. Një nga sukseset e tij në televizion ishte edhe programi “Në çantën e…”, ku zonja të njohura të politikës dhe jo vetëm, pas një interviste me të hapnin çantat e tyre dhe tregonin sendet personale në ekran.

Pak kohë më parë, Hermesi tregoi në rrëfimin e tij ekskluziv për “Panorama Plus”, se si jeta e tij u shkatërrua brenda një nate, ndonëse është i pafajshëm.

“Mua më vjen keq, se unë isha njeri i medias dhe në lajme çfarë nuk u tha për mua. Po askush nuk erdhi të më pyesë këtu personalisht. Nuk e di se pse jam ende nën hetim. Unë kërkoj një masë më të butë, siç është arrest shtëpie apo paraqitje me detyrim. S’kam pasur asnjë precedent penal të mëparshëm, jam me arsim të lartë dhe kjo situatë më ka bërë ta vuaj dhe të jem nën kujdesin mjekësor me qetësues dhe serume”, shprehej Zogu një muaj pas arrestimit.

Dhe duket se “masën e butë” e arriti, ndërkohë që tashmë po e kalon këtë situatë pranë familjes.

Kujtojmë që babai i tij i doli në mbrojtje publikisht, pasi e rrëfeu historinë gjatë një interviste për një emision në “Top Channel”.


Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*