Ambasadori i Austrisë Johann Sattler i është përgjigjur kërkesës së bërë nga Voltana Ademi për një ekip ndërkombëtar që të marrë në dorëzim bashkitë në vendin tonë, sa kohë që sipas saj zgjedhjet e 30 Qershorit janë të paligjshme.

Sattler shprehet i hapur për të diskutuar por sipas tij, Shqipëria e 2019-tës nuk ka të ngjarë me atë të 1913-tës.

“I hapur për të diskutuar. Por 2019 nuk është 1913. Shqipëria synon të hapë negociatat BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojitet  të ndërmerren dy hapa. Sezoni i konfliktit që duhet ndjekur nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime me një mendje të qetë”, shkruan Sattler në llogarinë e tij në Twitter.

Çfarë shkruante dje Voltana Ademi: 

Sot, në 2019- ën nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%- ësh! Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prap rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën!

Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojme një komision Administrativ Europian, besimplotë tek vullneti i tyre demokratik, derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën dikaturën e pakicës së pakicës votuese!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*