Policia e Durrësit ka arrestuar një 33-vjeçar, i cili ka hyrë me armë zjarri në një lokal të zonës. Sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për shtetasin me iniciale, L. B., i cili ka fshehur kallashnikovin poshtë xhupit dhe është futur në ambientet e një lokali. Dëshmitarët kanë njoftuar policinë nga frika se mos ndodh ndonjë krim.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Durrësit parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale. Marrja në kohë e informacionit dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 33-vjeçar, i cili hyri me armë zjarri në një lokal. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov, me 2 karikatorë me municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë informacion se në lagjen nr. 13, në Durrës, një shtetas mbante të fshehur poshtë xhupit një armë zjarri kallashnikov dhe po futej në ambientet e një restoranti. Menjëherë u organizua puna nga shërbimet e Policisë, të cilët falë reagimit në kohë dhe profesionalizmit bënë të mundur kapjen e personit, pa shkaktuar pasoja, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: L. B., 33 vjeç, banues në Kavajë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*