Përgjysmohen rastet e reja me COVID-19. Ndryshe nga dy ditë më parë, të mërkurën numri i të infektuarve ishte 50. Por më shumë sesa çështja e shifrave, shqetësimi lidhet me vatrat e reja të infeksionit, të cilat nuk po kursejnë institucionet shëndetësore.

Pas QSUT-së, që prej fillimit të këtij muaji është shndërruar në burim infeksioni për stafin mjekësor dhe për pacientët, dje janë regjistruar raste me COVID19 edhe në Maternitetin e Vlorës, duke bërë që stafi i këtij spitali të futet në karantinë. Nga ana tjetër, prej fillimit të kësaj jave COVID-19 ka mësyrë pothuajse në çdo institucion publik, përfshirë Kryeministrinë, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Financave, ushtrinë, Hipotekën etj.

RASTET

Por, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rritja e rasteve ditore pozitive në javën e fundit i faturohet uljes së vigjilencës dhe moszbatimit të rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.

“Kjo ka bërë që krahas të prekurve që janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, të kemi dhe transmetim komunitar në disa bashki të vendit”, vuri në dukje dje Rovena Daja. Sa i takon rasteve të reja, peshën më të madhe dje e ka mbajtur Shkodra, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar 12 raste të reja.

“Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 333 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 50 raste pozitive, kryesisht kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, si dhe raste të reja në proces hetimi. Shpërndarja gjeografike e të të identifikuarve pozitivë është si vijon: 12 raste në Shkodër, 11 në Tiranë, 7 në Vlorë, 6 në Krujë, 5 në Korçë, 4 në Durrës, nga 2 raste në Pukë dhe Kurbin dhe 1 rast në Lushnje”, është bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë.

SITUATA NË SPITAL

Shtimi i të infektuarve ka sjellë edhe rritje të numrit të pacientëve që janë shtruar në Spitalin Infektiv për kujdes të specializuar. Aktualisht janë 53 pacientë të shtruar, 9 prej të cilëve në terapi intensive dhe 3 të intubuar. Ndërkohë ka shkuar në 38 numri i viktimave si pasojë e koronavirusit.

Dje në Spitalin Infektiv ka ndërruar jetë edhe një 82-vjeçare nga Tirana. Ajo çka vihet re është hezitimi i Ministrisë për të mos i raportuar rastet fatale të ditëve të fundit si humbje jete nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë nuk e ka konsideruar vdekjen e Nehat Kullsë, i ashtuqujtur “gjenerali”, si pasojë e COVID-19, pavarësisht se vetë kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se shkak për vdekjen e tij kishte qenë koronavirusi.

MASAT

Përkeqësimi i shifrave ka sjellë edhe reagimin e Kryeministrit. Rama paralajmëroi të martën bizneset dhe qytetarët se do të përballen me penalitete nëse nuk respektojnë masat e distancimit fizik dhe protokollet e sigurisë. Kreu i qeverisë bëri të qartë se nëse shifrat e të infektuarve do të vazhdojnë me këto ritme do të rivendosen masat kufizuese.

“Policia e Shtetit duhet e do të bëjë detyrën, pa bërë më asnjë dallim, kudo qoftë e ndaj kujtdo qoftë në çdo kilometër katror të Republikës së Shqipërisë, e kush merr pjesë në grumbullime apo në grupime më të mëdha sesa numrat e lejuar nga protokollet e sigurisë do të penalizohet drejtpërdrejt, individualisht. E dyta, bizneset që nuk respektojnë protokollet e sigurisë nuk do të tolerohen më dhe u kujtoj të gjithë atyre që kanë një biznes, më vjen keq por duhet t’jua kujtoj, se, përveç gjobave, rrezikojnë edhe heqjen e lirisë, në rast se kapen në shkelje të protokolleve duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e njerëzve të cilëve u shërbejnë”, tha Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*