MARIGLEN KUME/Tri orë e 30 minuta diskutime në seancën e djeshme nuk i kanë mjaftuar Komisionit Rregullator në KQZ që të miratojë aktin që i heq të drejtën qeverisë që të përdorë administratën publike në aktivitete promovuese të veprave publike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngecur për te miratuar vendimin me listën e aktiviteteve qe i ndalohet qeverisë gjatë periudhës zgjedhore. Përfaqësuesit e mbështetur nga qeveria nuk pranojnë propozimin e përfaqësuesve të mbështetur nga opozita për të ndaluar koncesionet dhe PPP-të 4 muaj para zgjedhjeve.

“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve ndalohet dhënia e kontratave publike te koncesionit/PPP, për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të nisur, apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor.”- thuhet në propozimin që nuk po gjen mbështetjen e qeverisë.

Ndërkaq, diskutimi i Komisionit Rregullator u ndal në nenin tre të projekt-aktit. Kjo është mbledhja e parë e KQZ-së së re pas 10 akteve të miratuara me unanimitet të plotë, që mund të prishë këtë traditë. Për të shmangur pabarazinë në fushatë para zgjedhjeve, KQZ-ja ka parashikuar veprimtaritë që u ndalohen figurave politike në qeveri, si Kryeministrit, zëvendësit të tij, ministrave dhe zëvendësve apo drejtorëve të rëndësishëm.

“Kryeministrit apo ministrit i ndalohet promovimi i projekteve dhe/ose te investimeve, me interes apo shtrirje territoriale kombetare ose vendore ne fushen e transporteve te c’do lloji, te energjetikes, te telekomunikacionit, te veprave ujore te c’do lloji, ne sherbim dhe interes te publikut. Nuk do të lejohet gjithashtu edhe promovimi nga ana e ministrit përkatës, Kryeministrit apo drejtorëve të sipërpërmendur, promovimin e projekteve dhe/ose te investimeve, kombëtare ose vendore, ne funksion te ruajtjes se mjedisit, te shëndetit, të kultures dhe të arsimit publik, si dhe te infrastruktures, ne sherbim e interes te publikut”, thuhet në draftin e KQZ-së.

Në kohën kur vetë Kryeministri Rama dhe kreu i PDsë, Lulzim Basha, po e përqendrojnë mjaft fushatën e tyre në “Facebook” dhe shpeshherë administrata publike detyrohet për të shpërndarë në rrjetet sociale aktivitetet promovuese, në mbledhje u kërkua që të sanksionohet ndalimi i përdorimit të administratës edhe në rrjete sociale. Pavarësisht se propozimi gjeti mbështetjen e anëtarëve, thuajse të gjithë ishin dakord që evidentimi i tyre është thuajse i pamundur.

“Ne kemi kufizuar çdolloj përdorimi të papërshtatshëm të administratës. Nuk është rasti për të bërë një listë me veprimtaritë. Nuk ka të bëjë thjesht vetëm me daljen në miting. Nëse verifikohet përdorimi edhe në ‘Facebook’, do të ndërmerren masa, por është thuajse e pamundur”, tha Celibashi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*