Lëreni mjekun të bëjë punën e vet.

NGA ELTAR DEDA

“Se ce prenë se ce vranë…..”
Përsëri sot iku një mjek, nga Vlora, mik i yni, i cili e humbi jetën nga Covid-i.
Ashtu sic iku para dy ditësh përsëri një koleg i tij. Përsëri ne kolegët e tyre dhe njerëzit e afërm nuk mundemi t’u japim lamtumirën e duhur, ashtu si u takon atyre që jetën ua përkushtuan vetëm pacientëve, duke haruar gëzimet dhe hallet e familjeve të tyre. Të përjetshëm qofshin në harresën që koha dhe njerëzit po i lenë.
Nuk mundem të vëmë dorën mbi arkivolin e tyre, për tu dhënë lamtumiren e fundit as mikut tim nga Tropoja Dr Anibalit, as mikut nga Saranda, Dr Ilirjanit. Të dy të nderuar gjatë gjithë jetës pavarësisht se meritonin shumë.
Askush nuk pyeti se si e kanë marë infeksionin ata. Nuk e kanë marrë, as në kafene, as në lokale ku shikohen ndeshje. Por duke qenë gjithë ditën në kontakt të drejt përdrejtë në frontin e parë të përballimit të sëmundjes.
Përballë akuzave të numrave me vdekje dhe me kush e ka pergjegjësinë, mjeku apo shteti, mundohuni pak ndiqni intensitetin e ditës të këtyre mjekëve dhe personelit shëndetësor, se si përndiqen gjithë ditën nga sëmundja.
Duke shfrytëzuar momentet e darkës me disa nga këta kolegë të mitë që përballen me sëmundjen, në fytyrën e tyre pashë shenjën e maskës dhe lodhjen e tejskajshme të tyre, sepse nuk ishin në gjendje tu kthenin as përgjigjet mijëra sms-ve, ku njerëzit me të drejtë kërkojnë një këshillë mjekësore. Pamundësia e tyre është
kthyer në një lodhje të tejskajshme, por buzëqeshja përsëri është tek ata.
Përse kjo përbaltje ndaj mjekut duke marrë si kazus politika numrin e vdekjeve? Përse nuk e lini mjekun dhe personelin shëndetësor që të bëjë punën e tyre, vetëm e vetëm që të përfitoni disa vota duke përbaltur ata?
Edhe në vendet e tjera është bërë ky debat gjatë valës së parë të pandemisë. Të gjithë e dinë se si shoqata e kardiologëve në Itali ngulmoi me forcë që të ndanin të semurët që vdisnin nga sëmundje kardiake pavarësisht se ishin të prekur nga Covid-i. Po kështu në Gjermani u bë i njëjti debat i madh në klasifikimin e vdekjeve, bazuar edhe në protokollet e përcaktuara nga OBSH, ku cdo shoqatë mjekësh kërkonte ndarjen e pacientëve të tyre, pavarësisht se ishin të prekur nga Covid. Por ky debat ngeli në nivelin e debatit shkencor të mjekëve dhe jo si kazus te politikës.
Në pandemi gjithmonë mbahen statistika dhe në fund të saj organizohen konferenca shkencore, ku nxjerin edhe konkluzionet e duhura. Në pandemi të gjithë faktorët janë në sherbim te përballjes me sa më pak dhimbje.
Po përse opozita mbasi e hodhi bombën thotë se, nuk e kam me mjekun, por e kam me shtetin? Kryetari i opozitës si politikan që është e di shumë mirë që ligji atë që flet nga foltoret politike nuk e zë, por atë që shkruan dhe i lë provat me shkrim . Dhe mjekët e thanë fjalën e tyre se, mbajmë përgjegjësi për diagnozat e vendosura nga ana e jonë.
“Scriptum et factum……” Ju zoti kryetar i opozitës e keni vetëm me mjekët dhe me askënd tjetër, sepse ata janë që firmosin në fund në kartelën e vdekjes së pacientit.
E ndoqa me shumë dëshire debatin e para dy ditëve në një nga tv kombëtare ku ishin të ftuar vetëm mjekë dhe më pëlqeu se pavarësisht kundërshtive ishte debat i cili e ngriti nivelin e emisionit dhe i largoi sado pak nga ato ekrane, disa tipa që hiqen si të pushtetshëm edhe në bërjen e këtyre politikave. Por përsëri ndodhi avazi, ku moderatori iu drejtua: jo kaq teknik debati sepse më ulet shikueshmëria. Po aq me neveri pashë një lajm ku një nga Tv po kombëtare i kishte kushtuar një hapësirë shumë të madhe televizive një konspiracionisti i cili del cdo ditë jave dhe pretendon si i “cipuar nga lartë” dhe ngre me të madhe se kjo sëmundje nuk ekziston.
Sa me vlera një faqe e “Mjekëve shqiptarë në luftën kundër Covid-19”. Janë bashkuar nga të gjitha anët e botës ku punojnë me një dëshire të madhe për të dhënë përvojat e tyre. Pa asnjë detyrim politik as edhe financiar, thjesht një vullnetarizëm në ndihmë të kolegëve mjekë si edhe të qytetarëve. Ku ata me këshillat e tyre japin pervojën. E ndoqa me shumë dëshirë Webinarin e organizuar prej tyre dhe më la nje kënaqësi që në keto kohëra rrallë po e shikojmë. Nuk kërkuan hapesirë mediatike vizive, sepse ashtu jane mësuar. Ja se cfare dinë mjekët që të bëjnë.
Po përse opozita prek si kazus vdekjet? Shumë bukur do të ishte të vazhdonin te bënin presion mbi qeverinë, për politikat e ndjekura si edhe të japin alternativën. Ku vërtet ka shumë për të kërkuar përsosmëri, aq sa mund ta lejojë pandemia e cila ka përulur vende shumë herë më lart me menyrën e funksionimit të sistemeve të tyre shëndetësore. Po përse mjekun me vdekjet? Përse nuk përmendni se sa mijëra janë shëruar po nga këta mjekë? Lëreni mjekun të bëjë punën ashtu si e ka bërë. Ku edhe sot ata nuk kërkojnë që të jenë heronj, por thjesht të përmbyllin me sa më pak humbje këtë pandemi. Si edhe politika të mundet të mësojë se sa shumë mbrapa e ka lënë sistemin shëndetësor dhe vëmendja në të ardhmen, të jetë mbi këtë sistem.
Bota do fitojë mbi këtë pandemi. Shkenca po përparon shumë shpejt për të arritur më të mirën. Por balta e hedhur mbi punonjësit e shëndetësise do harrohet dhe përsëri ata do të kthehen ne strehën e tyre me kokën ulur, për ti shërbyer përsëri njerëzimit.
Po a do mundet opozita ta gëzojë pushtetin e marrë me këtë baltë? Jo kurrë.
Boll e prete boll e vratë..

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*