Nga Agron Brataj
Pas zërave dhe spekulimeve, duket se ka ardhur momenti i kthesës së madhe, transferimi i Dushan Vlahovic te Milan është më i mundshëm se kurrë. Sipas burimeve të afërta me klubin, ka qenë vetë trajneri i Juventusit,
Massimiliano Allegri, ai që ka dhënë ok për nisjen e negociatave. Max kërkon të ketë një sulmues tjetër krahas Gimenez-it, ndërkohë që te Milani është rritur urgjenca për të përforcuar ofensivën, sidomos pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Arsenalit, ku doli në pah mungesa e qartësisë para portës.
Me mbrojtjen që është konsoliduar pas afrimit të Estupinan dhe me mesfushën që është forcuar me transferimet e Ricci dhe Luka Modric, sulmi mbetet pika më e dobët e kuqezinjve.
Një operacion kompleks
Marrja e Vlahovic nuk do të jetë një operacion i thjeshtë. Sulmuesi serb përfiton aktualisht një pagë shumë të lartë, rreth 12 milionë euro në vit, ndërsa Juventusi nuk është i gatshëm ta shesë për një shifër të ulët, duke pasur parasysh investimin e madh prej 75 milionë euro që bëri për të dy vite më parë.
Për të zhbllokuar situatën, Milan është gati të përfshijë në marrëveshje Malick Thiaw si pjesë e shkëmbimit. Mbrojtësi gjerman, që tashmë është i mbyllur nga Gabbia, Tomori dhe prurja e re Pavlovic, mund të jetë i hapur për një aventurë të re te Juventus, edhe pse edhe në këtë rast do të duhet të bindet vetë lojtari.
Gjithsesi, për të realizuar këtë transferim do të nevojiten sakrifica nga të gjitha palët: Vlahovic do të duhet të ulë ndjeshëm pretendimet financiare, Milan të bëjë një përpjekje të konsiderueshme ekonomike, ndërsa Juventus të pranojë një humbje të pjesshme financiare mbi kartonin e lojtarit.
Alternativat në sulm
Përkundër dëshirës për Vlahovic, drejtuesit kuqezinj po mbajnë hapur edhe disa opsione alternative, në rast se negociatat dështojnë:
Gonçalo Ramos (PSG) një profil teknik dhe premtues, i përshtatshëm për filozofinë e lojës së Milanit.
Darwin Núñez (Liverpool) një lojtar eksploziv, por me një çmim të lartë dhe i vështirë për t’u arritur.
Nicolas Jackson (Chelsea) një tjetër emër në listë, por aktualisht konsiderohet si opsion dytësor.
Fundi i afatit po afron
Me nisjen e sezonit zyrtar më 17 gusht në Kupën e Italisë ndaj Barit, dhe me kampionatin që starton vetëm një javë më pas, Milani nuk ka më kohë për të humbur. Klubi duhet të përshpejtojë lëvizjet në merkato dhe të sigurojë një bomber që mund të udhëheqë sulmin në një sezon ku objektivat janë të mëdha.
Vlahovic është profili ideal, por mbetet për t’u parë nëse të gjitha palët do të arrijnë kompromisin e nevojshëm për ta bërë këtë transferim realitet.





