Nga Agron Brataj
Ndërsa skuadra e Milanit është nisur drejt Azisë për turneun parasezonal, drejtuesit kuqezinj vijojnë intensivisht punën për të kompletuar skuadrën në dispozicion të Massimiliano Allegrit. Çështja më urgjente, pas largimeve të Theo Hernandez, Walker dhe Florenzi si dhe nisjes së sigurt të Emerson Royal mbetet ajo e mbrojtësve anësorë.
Për krahun e majtë vijnë lajme pozitive në lidhje me Pervis Estupiñán, kontaktet me Brighton janë të vazhdueshme dhe palët janë gjithnjë e më pranë marrëveshjes.
Operacioni pritet të mbyllet për një shumë pak më të vogël se 20 milionë euro konkretisht 15 milionë si pagesë fikse dhe pjesa tjetër në formë bonusesh. Me vetë lojtarin dhe përfaqësuesit e tij nuk ka asnjë problem, pasi akordi personal është arritur prej kohësh.
Sa i takon krahut të djathtë, bie në mënyrë të ndjeshme pista Marc Pubill mbrojtësi i djathtë i Almerías është objektivi i ri i Wolverhamptonit, që është gati të paguajë 20 milionët e kërkuara nga klubi spanjoll. Në krye të listës ishte fillimisht Guéla Doué, por kërkesat e Strasburgut (30 milionë euro) u shfaqën shumë të larta në krahasim me ofertën e Milanit (15 milionë).
Në këtë situatë, mes dy “pretendentëve”, mund të përfitojë një i tretë. Emri më i ri në listën e drejtorit sportiv Tare është ai i Jackson Tchatchoua, mbrojtësi i djathtë i Hellas Verona me origjinë kamerunase dhe shtetësi belge.
Për të, konkurrenca vjen nga Nottingham Forest, që ka bërë një ofertë të parë prej 10 milionë eurosh (e refuzuar) dhe është gati të paraqesë një të dytë prej 12 milionë eurosh.





