TIRANE

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me ndryshimet e propozuara sot në Kuvend, për Kodin Penal.

Sipas Ballësm propozimet e depozituara në Kuvendin e Shqipërisë janë një bazë e mirë për të shkuar në një variant final nga ana e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën dhe të Drejtat e Njeriut deri në seancën më të parë të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa kërkon nga grupet e tjera parlamentare që të kontribojnë dhe të mbështesin nevojën për këto ndryshime urgjente në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në deklaratë Balla thekson se moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht.

Deklarata e plotë:
Propozimet e depozituara në Kuvendin e Shqipërisë janë një bazë e mirë për të shkuar në një variant final nga ana e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën dhe të Drejtat e Njeriut deri në seancën më të parë të Kuvendit të Shqipërisë.

Shpresoj, besoj dhe i drejtohem edhe grupeve të tjera parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë që të kontribojnë dhe të mbështesin nevojën për këto ndryshime urgjente në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në shumë vende europiane masat shtërnguese të karantinës dhe distancimit social, po shoqërohen me aktualizim të parashikimeve të Kodit Penal me nevojat dhe domosdoshmëritë që ka sjellë lufta me Covid-19. Hetimi epidemiologjik i disa rasteve në Shqipëri, rastet më të fundit në Elbasan, ka zbuluar se persona të caktuar mbartës ose jo të koronavirusit kanë shkelur me dashje masat shtërnguese të karantinimit, distancimit, të ushtrimit të aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës së fatkeqësisë, duke shkaktuar për shkak të veprimeve të tyrë të papërgjegjshme përhapje të epidemisë së Covid-19.
Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht.

Me qëllim parandalimi i përhapjes së Covid-19, përvec sanksioneve administrative për të gjithë ata persona që do të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Nisur nga kjo nevojë e menjëhershme për aktualizimin e Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë, edhe të atij Rrugor gjithashtu, me situatën e krijuar, Kuvendi i Shqipërisë është institucioni i vetëm që ka përgjegjësinë që me procedura urgjente të garantojë mbrojtjen e jetës së njerëzve nga çdo person që kryen veprime që bien ndesh me masat mbrojtëse.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*