Për administratorin e pallatit, mbështetja ligjore dhe roli i pushtetit vendor janë po aq të rendësishme dhe shpresëdhënëse në zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve në banesat me bashkëpronësi. Zëri i tyre mbi dilemat, edhe aty ku ka një mirëmbajtës të zgjedhur, është zëri i realitetit. Natyrisht, që aty ka nevojë për mbështetje ligjore dhe ndihmë nga strukturat vendore. Nëpërmjet implementimit të projektit mbi informimin dhe zgjedhjen e administratorit, i financuar nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, po mundëson grupin informal “Your Voice” të trokasë në këto banesa me bashkëpronësi të Rajonit nr 1, në qytetin e Vlorës dhe të dëgjojë zërin e këtyre banorëve për t’i nxitur e informuar ata mbi ligjin e zgjedhjes së administratorit.
Realiteti që këta banorë prekin çdo ditë, flet vetë… Në pallatin nr 9402 Z. Karafi Aliaj është zgjedhur me votat e banorëve, por sado punë të mirë që ka bëre në favor të tyre, ai nuk është i njohur nga Bashkia Vlorë. Ai shprehet se: “unë kujdesem shumë për higjenën e pallatit, përfshirë këtu pastrimin brenda (shkallët) dhe për ambjentet takuese jashtë pallatit, higjenën e bolierëve (pastrime periodike) si dhe mirëmbajtjen e tyre. Në ambjentet rrethuese të pallatit kam vendosur barriera për të mos parkuar pranë hyrjes. Kujdesem për pompat, dhe çdo problem që lind në pallat. Kur na është dashur të kërkojmë mbështetje nga strukturat vendore, duhej të mblidhnim çdo herë, firmat e banorëve, që të na prisnin përfaqësues të bashkisë, për t’a prezantuar e zgjidhur problemin…., prandaj une nga pervoja, them se bashkia duhet të na njohë”.
Banesat me bashkëpronësi dhe amortizimi i tyre kanë vënë banorët para fakteve reale, prezente, madje edhe emergjente, për të cilat, protagonistët kryesorë janë vetë ata. Duke qenë se banorët janë ata që përballen çdo ditë e më tepër me problemet e ndryshme në këto banesa, ne e shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme zgjedhjen e administratorit të pallatit.
Në takimet e zhvilluara deri tani, në bisedat me ta, vërejmë një skepticizëm, që i bënë konfuz në vendimarrjen e tyre për të ardhmen. Kjo pasiguri ndoshta e ka zanafillën së pari në morinë e problemeve të shtresuara në kohë, si edhe në marrdhënien e mëparshme me strukturat vendore gjithashtu. Ne e dimë mirë që kjo marrdhënie ka çaluar dhe shpresojmë të përmirësohet falë implementimit të këtij projekti dhe informimit të qytetarëve. Kjo konsiston në njohjen që bashkia duhet t’i bëj veprimtarisë së zgjedhjes së administratorit. ( sipas ligjit 10112 dt 09. 04. 2009 mbi Administrimin veçanërisht Kreu VIII, Roli i Institucioneve Vendore dhe Qendrore, Nenet 37, 38, 39, 40 shprehin qart rolin dhe bashkëpunimin e subjekteve shtetërore ku p.sh. bashkia “mund të hartojë një program nxitjeje për restaurimin apo rikonstruktimin e ndërtesave të dëmtuara, duke kontribuar me financime pjesore”). Gjithashtu, Kreu IV, Neni 15 bashkia regjistron një kopje të kryesisë me emra dhe adresë dhe Kreu V, Neni 19 regjistrohet administratori i zgjedhur në “librin e administruesve pranë bashkisë në juridiksionin e së cilës do të ushtrojë këtë veprimtari” duke i njohur administratorët e zgjedhur e duke u dhënë suportin e duhur, se deri tani, nuk i ka njohur. Ndihma që bashkia do të na ofrojë është e domosdoshme (ne ja kemi kërkuar zyrtarisht), jo vetëm për implementimin me sukses të projektit, por edhe për vetë banorët si një zgjidhje e domosdoshme.


Duke u ndalur në disa nga pikat kyçe të ligjit mbi administrimin e banesave me bashkëpronësi, shpresojmë t’u vijmë sadopak në ndihmë këtij komuniteti. Administratori do të jetë ai që do t’u japë këtyre ndërtesave me bashkëpronësi, një frymë ndryshe për një jetesë komunitare të shëndetshme. Sot situata është e nderë… na thotë një nga banorët, Z. Sokol Sheko, banor i pallatit 520, Rajoni nr. 1, Vlorë, dhe ndër të tjera shprehet se: “siç e shikoni dhe vetë pallati ynë duket qart se ka shumë probleme për të cilat një administrator do të zgjidhte shumë prej tyre. P.sh. sikurse e shikoni, një pjesë e pallatit është meremetuar (suvatuar, lyer, rregulluar ulluqet etj.). Një pjesë e banorëve ranë dakort për këtë, por po të kishim një administrator (të njohur nga bashkia), do të mundësonte që të meremetohej i gjithë pallati, për ta mbrojtur atë nga erozioni dhe apartamentet tona, nga lagështira e probleme hidraulike e elektrike”.
Një zonjë, Arlinda Zykaj, banore e pallatit 575 shprehet me plot bindje që ta zgjedhim administratorin se “ja, shikojini dhe vetë këto ambjente, korridore e shkallë si janë katandisur. Jo vetem që asnjë nuk e merr iniciativën të ndryshojë sado pak këtë gjendje, por bëhen të pa ndergjegjshëm dhe kanë ndërhyrë privatisht, secili për të zgjidhur problemet e veta vendos boliere uji vetë, ndërhyn ne instalimet hidraulike apo elektrike etj., kur në fakt, një administrator do të bënte punë e do të qe zëri i të gjithëve”.


Pikërisht duke parë reagimet e banorëve, bashkohemi me shqetësimet e tyre dhe si pjesë e kësaj nisme u bëjmë thirrje komunitetit të banesave me bashkëpronësi, të mos hezitojë, të ndjek hapat e zgjedhjes së administratorit (sipas dispozitave ligjore) në mënyrë që këto problematika, që shqetësojnë këtë komunitet, të minimizohen. Në Nenin 20 të ligjit mbi Administrimin e ndërtesave me bashkëpronësi shprehen qart një sërë detyrimesh e përgjegjësish për administratorin, ku ndër të tjera theksohet se “Administratori zbaton vendimet e marra nga asambleja”. Gjithashtu administratori ka përgjegjësi ndërmarrjen e kontrolleve periodike, tekniko dhe higjeno-shëndetsore, sistemin e mbrojtjes kundër zjarrit, ashensorëve, tarracave etj., mbajtjen e buxhetit për mirëmbajtje e riparime etj. Ai mbikqyret nga kryesia. Kjo e fundit “harton rregulloren specifike të administrimit”.
Banorët duhet të informohen e ndërgjegjësohen se kur ata nuk janë të përfaqësuar, ndërtesat në bashkëpronësi gjenerojnë probleme dhe konflikte nga më të ndryshme të tilla si: nuk kanë kontrolle periodike teknike dhe higjeno-shëndetsore për gjendjen e pronës; nuk kontrollohet sistemi i mbrojtjes ndaj zjarrit, sistemi i ngrohjes qëndrore, ashensorëve, tarracave, sistemi i ndriçimit, prania e insekteve e parazitëve si dhe i veprimeve për të minimizuar dëmtimet e pronës apo praninë e faktorëve që mund të përbëjnë rrezik për përhapjen e epidemive dhe sëmundjeve.
Por mbi të gjitha mosnjohja e ligjit dhe mungesa e zbatimit të tij për zgjedhjen dhe rregjistrimin e asambleve dhe më tej të administratorëve të pallateve (nga bashkia), na vë përpara detyrave e sfidave të shumta. Të qenit pragmatist dhe të menduarit kritik ndaj fenomeneve që hasim në takimet me banorët në këto banesa me bashkëpronësi, na bën më këmbëngulës dhe aktiv për të vazhduar takimet dhe informimet me këta banorë. T’i ndërgjegjësojmë dhe tua bëjmë njohjen me ligjin sa më reale dhe të kuptueshme, që ata ta ndjejnë realisht se zgjedhja e administratorit është e rëndësishme për ta. Zëri i banorëve në krijimin e një marrdhënieje me strukturat vendore, ka vështirësi por shpresojmë ta kemi këtë mbështetje, pasi vetë përfaqësues të Bashkisë, Vlorë janë shprehur pozitivisht për të realizuar pjesën takuese në këtë mision.
Ishin disa nga momentet më të rëndësishme, të cilat bëjnë të mundur funksionimin e këtij ligji mbi zgjedhjen e administratorit në banesat me bashkëpronësi si një ndihmë legjitime për këta banorë.
…………….
Projekti “Lagjja ime-Administratori i pallatit tim”
zbatohet nga grupi informal “Your Voice” me mbështetjen e @LevizAlbania.
#LevizAlbania
#YourVoice
#Lagja ime-Administratori i pallatit tim
#ETC
#ETC

Shkruar nga Deni Llanaj Deni

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*