Në Vlorë u organizua një takim i madh me gra dhe vajza në kuadër të zgjedhjeve vendore, në mbështetje të kandidatit socialist për Kryebashkiak, Z.Ermal Dredha.
Në takim morën pjesë koordinatori politik i PS për qarkun e Vlorës, z. Blendi Klosi, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët znj. Bora Muzhaqi, deputete të Partisë Socialiste të Vlorës, Kandidate për Këshillin Bashkiak të Vlorës si edhe gra kontribuuese prej më shumë se dy dekadash në aktivitetin politik të PS në qytet.
Në fjalën e tij, kandidati Ermal Dredha vendosi në veçanti rolin e grave në zhvillimin ekonomik të këtij qytetit.
Dredha shprehu besimin e tij në rritjen e roli të grave në shoqëri dhe premtoi të jetë i dedikuar për të promovuar vlerat e grave dhe vajzave të Vlorës në mandatin e tij, duke punuar me rininë që do të drejtojë qytetin.
Ai po ashtu premtoi të vazhdojë punën drejt modernizimit, zhvillimit infrastrukturor, reformave që sjellin rritje ekonomike, shërbime moderne, nxitje të turizmit dhe zhvillimin e fshatit.
“Me administratën e re të Bashkisë do të fillojmë punën sa më shpejt të jetë e mundur pas zgjedhjeve. Ne do të jemi në fokus të plotë dhe do të punojmë me një ritëm të shpejtë për të zgjeruar projektet në brendësi të qytetit, duke filluar nga rrugët e brendshme,për ti rregulluar sa më shpejt të jetë e mundur,përmirësimin e ndriçimit si dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Qyteti duhet të jetë më i aksesueshëm dhe i mirëlidhur me zonat rurale,në mënyrë që të promovohen produktet e zonës”- u shpreh Ermal Dredha.
Ndër të tjera nënvizoi edhe projektet e rëndësishme që qeveria shqiptare, falë angazhimit të Kryeministrit Edi Rama, ka planifikuar për zhvillimin e qytetit të Vlorës, si Aeroporti i Vlorës, Tuneli i Llogarasë dhe vazhdimi i Lungomare që do të përfshijë gjithë vijën bregdetare të mbetur të qytetit.
Dredha premtoi se me administratën e re të bashkisë, ata do të punojnë me një ritëm të shpejtë për ta bërë Vlorën një destinacion turistik në Mesdhe.
“Dihet që projeksioni jonë është që ta bëjmë Vlorën një destinacion turistik jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë Mesdheun. Kjo ka bërë që të jetë vendosja e disa investimeve strategjik, përmendim këtu Aeroportin e Vlorës, Tunelin e Llogarasë që lidh Jugun dhe aq më tepër edhe Lungomar që do të përfshijë gjithë vijën bregdetare të Vlorës. Të gjithë këto komponentë përbëjnë vetëm një emërues të përbashkët, investime të reja, dhe vende pune që jam i sigurt që në shumicën e tyre do të jenë gratë. Sepse gratë janë më të vendosura për të bërë maksimumin edhe bashkia do të ketë rol kryesor për ta promovuar këtë vlerë. Vlerën që kanë gratë realisht në shoqërinë shqiptare dhe në qytetin tonë.”- vijoi kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës.
Kandidati i Partisë Socialiste në Vlorë do të vijojë në ditët në vazhdim fushatën duke u takuar me qytetarët por edhe sipërmarrësit, jo vetëm në qytetin e Vlorës por dhe në të gjitha fshatrat duke dëgjuar çdo sugjerim të qytetarëve për përmirësimin e infrastrukturës si edhe çdo pike kyçe për qytetin.
Fjala e Plotë e Kandidatit të Partisë Socialiste në Vlorë z. Ermal Dredha
në Takimin me Vajzat dhe Gratë
“Kam bërë takime pa fund që nga momenti i parë që kam filluar fushatën e deri më sot, po nëse unë kam një emocion dhe një emocion të madh, është pikërisht sot në takimin me gratë dhe vajzat e Vlorës, kontribuueset kryesore të zhvillimit ekonomik të këtij qyteti që zoti i ka dhënë bukuri që nuk i ka asnjë vend tjetër në botë. Jeni ju kontribuueset kryesore. Prandaj unë përulem para jush, me një falënderim të veçantë.
Sot në fakt dua ta filloj me atë simbolikën pse jemi këtu është një shesh i rindërtuar posaçërisht nga ato investime që ka dhënë qeveria shqiptare, duke i ka dhënë një imazh tjetër i kësaj lagje, me shumë, shumë histori, aq më tepër që jemi përballë një institucioni, siç është Bashkia e Vlorës.
Kontrata ime me ju është një para kontratë: Në Bashkinë e Vlorës me Ermalin dhe stafin do të jetë i dedikuar për të promovuar vlerat e grave dhe vajzave të Vlorës. Rinia është ajo që do të drejtojë Vlorën sot. Dhe do të ketë mbështetjen time maksimale, ashtu sikurse jam shumë falënderues ndaj të gjithë grave që janë këtu dhe që kanë kontribuar për këtë aktivitet dhe që kanë ardhur të më mbështesin së bashku me gjithë kandidatët për Këshillin Bashkiak.
Gruaja është bërthama e familjes, është edhe ekuilibri i gjithë strukturave, është ajo forca madhore që e çon përpara gjithë vlerën dhe gjithë ekonominë e një vendi. E them jo pa qëllim, gruaja është zanafilla e jetës po është edhe vetë rrugëtimi i jetës. Sepse me sakrificën e paçmuar që bëjnë, qoftë për të mbajtur familjen, qoftë për të rritur fëmijët, qoftë edhe për të qenë kontributi kryesor në çfarëdo lloj pune që punojnë në të gjitha ato profile, të cilat realisht tregojnë vetëm suksese dhe vlerë.
Në fakt dhe unë gjithmonë e shikoj edhe në raport me me politikat që ndërton qeveria e Republikës së Shqipërisë. Qeveria ka hartuar një platformë shumë të qartë ku prej 2 vitesh jemi anëtar të këshillit të sigurimit dhe një nga ato pilarët kryesor në fakt që ne duam të promovojmë jo vetëm brenda vendit, por në gjithë botën, është forcimi i rolit të gruas në shoqëri, sepse realisht ne po punojmë të gjithë se bashku për të pasur si parim kryesor barazinë gjinore.
Gratë dhe Vajzat meritojnë njësoj si burrat dhe po e tregojnë me punën e tyre, me forcën e tyre, me këmbënguljen e tyre. Janë krijesa që i çon vetëm vlerë gjithë shoqërisë.
Në fakt, qeveria Shqiptare ka hedhur disa piketa shumë të rëndësishme sa i përket projeksionit ku do ta çojë Vlorën.
Dihet që projeksioni jonë është që ta bëjmë Vlorën një destinacion turistik jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë Mesdheun. Kjo ka bërë që të jetë vendosja e disa investimeve strategjik, përmendim këtu Aeroportin e Vlorës, Tunelin e Llogarasë që lidh Jugun dhe aq më tepër edhe Lungo Mare që do të përfshijë gjithë vijën bregdetare të Vlorës. Të gjithë këto komponentë përbëjnë vetëm një emërues të përbashkët, investime të reja, dhe vende pune që jam i sigurt që në shumicën e tyre do të jenë gratë. Sepse gratë janë më të vendosura për të bërë maksimumin edhe bashkia do të ketë rol kryesor për ta promovuar këtë vlerë. Vlerën që kanë gratë realisht në shoqërinë shqiptare dhe në qytetin tonë.
Do doja të përmendja pak nga ajo çka unë kam parë gjatë rrugëtimit tim si fëmijë e deri tani. Në fakt gjithmonë është folur për tim atë. Është fjalë për tim atë si mjek, është folur për tim atë dhe si i Kryetar Bashkie dhe gjithmonë me ato fjalës me superlativë, por në fakt gjithmonë mbrapa ka qenë një heroinë, që ka qenë nëna ime. Ajo që e ka mbështetur në çdo hap që ka ndjekur. Jam i sigurt që në çdo familje Vlonjate është një grua e fortë, një nënë, një vajzë për të cilat duhet të përulemi me respekt.
Kam edhe një person që dua ta përmend këtu që është Luiza Hoxha që e kam përballë dhe jo pa qëllim sepse ka qenë jo vetëm një grua e fortë, jo vetëm një grua e letrave, por ka qenë edhe një nga kontribuueset kryesorë të Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës, e cila duhet falënderuar për kontributin e saj që ka dhënë në këto vite.
Ekonomia do të eci përpara. Sepse kemi projekte konkrete. Kemi projekte për Vlorën të cilat i përmenda falë edhe mbështetjes së pamasë që ka dhënë Kryeministri Edi Rama dhe Qeveria shqiptare.
Me administratën e re të Bashkisë do të fillojmë punën sa më shpejt të jetë e mundur pas zgjedhjeve. Ne do të jemi në fokus të plotë dhe do të punojmë me një ritëm të shpejtë për të zgjeruar projektet në brendësi të qytetit, duke filluar nga rrugët e brendshme për ti rregulluar një nga një sa më shpejt të jetë e mundur por dhe ndriçimin apo gjithë problematikat që kemi edhe për ujin. Për ta bërë qytetin të aksesueshëm, të lidhur me gjithë fshatrat. Për të qenë promotorë të promovimit të produkteve të prodhuara në qytetin e Vlorës.
Turizmi ka nevojë për një bashkëveprim dhe bashkëveprimi është mes fshatrave dhe qytetit të Vlorës. Në bisedat që kemi pasur edhe me gjithë operatorët turistikë të Vlorës, kemi arritur me emërues të përbashkët të promovojë produktin vendas si e vetmja vlerë që promovon edhe identitetin e Vlorës, ashtu sikurse me investimet që ka bërë qeveria Shqiptare për të promovuar identitetin dhe historinë.
Projekte janë bërë disa, ne do të vazhdojmë me të tjera me qëllim promovimin vlerave të këtij qyteti që e ka bekuar Zoti me bukuritë e veta.
Në këto zgjedhje, kemi balancë të përfaqësimit gjinor ku në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak 50% gra. Shumica e tyre vijnë nga shoqëria civile dhe jo pa qëllim, sepse secila prej tyre ka një vlerë në një profil të caktuar, duke filluar që nga edukimi, shëndetësia, që nga ekonomia. Jam i sigurt që do të jemi të denjë për të përballur çfarëdo lloj replike, apo për të çuar përpara projektet kur kemi përballë një kundërshtar si i Partia Demokratike. Në këtë radhë jam i sigurt që ne do t’ia dalim bashkë për ti çuar projektet përpara. Për ta çuar Vlorën aty ku duam, aty ku qeveria Shqiptare ka projektuar për të gjithë, për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për fëmijët tonë, për vajzat tona.
Jam i sigurt që ju do të jeni mbështetja më e madhe. Kërkoj edhe njëherë me përulje mbështetjen tuaj jo vetëm për Ermalin, por për të gjithë Këshillin Bashkiak për të plotësuar ato çfarë thashë.”