Rrëfimi i një reporteri nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Kryeqyteti shqiptar pas kapitullimit italian dhe hyrja e Xhaferr Devës në Tiranë me 600 kosovarët e tij. Bashkëpunimi i Ballit me gjermanët dhe një takim i panjohur i Eqrem Bej Vlorës me nazistët. Pse anëtarët e familjeve Frashëri, Mitrovica, Vlora, Vrioni etj., papritur e panë veten të tejkaluar nga intelektualët komunistë, si Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, të cilët ishin të rinj, energjikë dhe kryesisht të paskrupullt dhe që e kuptuan menjëherë se si mobilizohej rinia…

Pak fjalë për Marenglen Kasmin dhe librin e tij

Xhevdet Shehu

Qëkurse është shfaqur për herë të parë emri i Dr. Marenglen Kasmit në shtypin shqiptar tërhoqi menjëherë vëmendjen për temat historike që trajtonte dhe sidomos për shfrytëzimin e një burimi deri atëherë të panjohur dhe pothuajse të pashfrytëzuar nga historianët tanë. Bëhet fjalë për burimet gjermane, ndërsa marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë shekullit të 20-të kanë një kurbë të çuditshme, me ulje e ngritje, ndërprerje e lidhje sipas rrethanave historike. Më e rëndësishme dhe më diskutueshme është periudha e Luftës së Dytë Botërore kur Shqipëria e vogël u pushtua nga hordhitë naziste hitleriane në vitet 1943-44. Është një periudhë e përgjakshme në fund të së cilës Shqipëria doli fitimtare si pjesë e koalicionit të madh antifashist botëror.

Pikërisht interesi i jashtëzakonshëm për këtë periudhë e ka shtyrë studiuesin dhe historianin t’i futet një punë të stërmundimshme për të zbuluar sa më shumë të vërteta rreth në këndvështrimin e pushtuesve gjermanë.

Kasmi ka një kulturë solide gjermanike, pasi në vitet 1997-1999 është diplomuar në Shkollën e Oficerëve në Dresden, Gjermani, dhe më pas 2003-2008 kreu studimet e larta në Universitetin Helmut Schmidt në Hamburg për Shkenca Historike dhe Sociologji.

Në vitin 2013 fitoi gradën shkencore “Doktor” në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (Histori Ushtarake). Ka punuar për shumë vite si pedagog dhe Shef i Seksionit të Historisë Ushtarake në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë. Është i angazhuar pa ndërprerje në mësimdhënie në nivel universitar dhe pasuniversitar.

Por pasioni prej historiani skrupuloz e ka shtyrë të kryejë hulumtime afatgjata në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane, Berlin, në Arkivin Ushtarak Freiburg, Gjermani në Arkivin e Shtetit Gjerman, Berlin-Lichterfelde, Gjermani etj.

Si rezultat i një punë të palodhur prej vitesh ai tashmë vjen para lexuesve shqiptarë me një libër të shumëpritur me titullin “MARRËDHËNIET SHQIPTARO-GJERMANE NË SHEKULLIN XX (1900-1945)”, botimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ky libër doli vetëm para pak ditësh, në fundin e vitit që lamë pas. Sikurse vërehet edhe nga titulli, autori e ka shtrirë studimin e tij përtej kohës së luftës dhe hedh dritë për shumë anë deri më tani të marrëdhënieve midis dy vendeve që nga fillimet, madje shkon edhe më pas, kur më 1989 u rilidhën marrëdhëniet diplomatike të ndërprera më 1945.

Pavarësisht nga rreth 600 faqe që përmban libri, ai përpihet në lexim për shkak të interesit që zgjon dhe për mënyrën e rrëfimit. Kasmi ka një stil të qetë dhe të sigurt në të shkruar, me kompetencën e një historiani serioz ai mbështetet në dokumente autentike dhe krejt të panjohura. Disa fragmente DITA i ka publikuar në periudha të ndryshme, sa herë janë hapur debate për luftën Antifashiste dhe kur janë bërë përpjekje për ta errësuar apo përbaltur atë luftë. Por fragmenti që po botojmë në vijim vjen për herë të parë. Është pjesa e kujtimeve të reporterit nazist Rudolf Vogel që kanë gjatë gjithë kohës së pushtimit hitlerian në Shqipëri. Këto kujtime janë botuar për herë të parë në vitin 1989 në Gjermani. Vogel-i i ka njohur shumë shqiptarët e asaj kohe, sidomos ata që bashkëpunuan me gjermanët dhe i portretizon ata pamëshirshëm. Natyrisht ai di të shkruajë bukur, por duhet thënë se ka qenë më shumë se një reporter lufte në Tiranën e atyre viteve, sikurse do ta kuptoni nëpërmjet leximit. Në këto kujtime parakalojnë emra shumë të njohur të kësaj periudhe si Eqrem Bej Vlora, Kolë Bib Mirakaj, Xhaferr Deva, Patër Anton Harapi, Mehdi Frashëri e kuislingë të tjerë.

Rudolf Vogel:

Mes shqiptarëve – kujtime nga Shqipëria (1943-1944)

Më 1958, qeveria suedeze më ftoi të shikoja pajimet e ushtrisë suedeze. Në atë kohë, ushtria suedeze konsiderohej si ushtria më e mirëpajisur me uniforma dimërore në botë. Unë [Vogel-i] isha raportuesi i përgjithshëm në komisionin parlamentar të financave për krijimin e Bundeswehr-it [ushtria e Gjermanisë Perëndimore, krijuar në vitin 1956 – shën. im – M.K].

Me sa duket, duke pasur parasysh nevojat e mëdha të Bundeswehr-it suedezët shpresonin të siguronin kontrata nga Gjermania.

Një kapiten i rangut III i marinës suedeze, i cili u tregua shumë i dashur me mua, më shoqëroi gjatë vizitës sime 14-ditore, gjatë së cilës më treguan gjëra shumë interesante të mbrojtjes suedeze dhe para së gjithash, pajimet dimërore. Gjatë bisedave të gjata dhe të pashmangshme me shoqëruesin tim përmenda edhe qëndrimin tim në Shqipëri gjatë luftës. Ditën tjetër shoqëruesi im më pyeti nëse dëshiroja të njihesha me atasheun ushtarak britanik, sepse dinte që gjatë luftës ai kishte shërbyer në misionet britanike, që hidheshin me parashutë në prapavijë të vijave gjermane të mbrojtjes. Pranova menjëherë dhe më telefonuan për t’u takuar me të në një nga klubet e bukura të Stokholmit, ku mblidheshin burra. Një nënkolonel thatim dhe tepër i gjallë i një regjimenti të gardës londineze dhe me një lidhje të largët farefisnie me familjen mbretërore ishte duke më pritur. Ai kishte qenë pjesë e korpusit elitar britanik, që në vitin 1943 ishin parashutuar në Jugosllavi dhe Shqipëri për të furnizuar forcat nacionaliste dhe siç do të tregonte përvoja më vonë, para së gjithash forcat komuniste, me para, ushqime dhe armatim.

Gjatë drekës së shkëlqyer, të shoqëruar me një verë të kuqe franceze edhe më të mirë, me modestinë tipike britanike ai më tregoi disa prej aventurave të tij dramatike në malet shqiptare. Papritur, ai më pa ngultas dhe më pyeti: “A keni qenë njëherë i shoqëruar nga shefi i shtabit i korpusit shqiptar për drekë në shtëpinë e Beut të Vlorës [Eqrem Vlorës – shën. im – M.K]?”

“E vërtetë!, u përgjigja unë i çuditur, duhet të ketë qenë rreth gjysmës së vitit 1944”.

”Ju kujtohet ende që ishit ulur së bashku me Beun e Vlorës para një oxhaku të madh e të hapur dhe që revolverin tuaj e kishit varur në gardërobë, në korridor? Ajo çka ju nuk dinit është si më poshtë: Beu i Vlorës ishte ndërlidhësi ynë me qeverinë shqiptare. Unë e kisha organizuar këtë ftesë të shefit të shtabit me shpresën se do të përfitoja ndonjë informacion të rëndësishëm. Isha ulur një kat më poshtë, pranë oxhakut të hapur dhe përgjoja bisedën tuaj. Për fat të keq, biseda kishte pak gjëra të reja për mua, ndonëse e kuptoja shumë mirë përkthimin e anglishtes suaj. Por, një gjë tjetër më interesonte më tepër gjatë këtyre dy orëve: Mendoja si në ethe nëse duhej t’ju vrisja të dyve. Revolverët tuaj ishin të varur në korridor, sepse në respekt të zakoneve të mikpritjes shqiptare ju gjatë drekës ishit të paarmatosur. Për mua nuk kishte asnjë rrezik. Më në fund, unë binda veten se vrasja e shefit të shtabit do të thoshte vdekje e sigurt për Beun e Vlorës dhe familjen e tij. Po ashtu, unë duhet të mendoja që: A do të liheshin në jetë, në të ardhmen nga Wehrmacht-i gjerman pjesëtarët e misionit britanik nëse kapeshin prej tyre? Kjo gjë mua më dukej tepër e dyshimtë. Kështu që vendosa t’ju lejoj të dyve të jetoni!”

Unë ngrita gotën të mbushur me bordonë franceze dhe zhytur në mendime të thella, thashë vetëm “Gëzuar!” duke trokitur gotën me shpëtimtarin tim.

Në fakt, nënkoloneli kishte vepruar me shumë mençuri! Në dijeninë time, Wehrmacht-i gjerman i ka respektuar si robër lufte anëtarët e misionit britanik dhe nuk i pushkatonte, siç bënte me partizanët, ndonëse kjo gjë në pikëpamje të së drejtës së luftës ishte e mundur.

Disa ditë më vonë, pasi kisha shkruar këtë episod të pabesueshëm që kishte ngjarë në Suedi, më vizitoi në shtëpi, në dhjetor të vitit 1988 i ngarkuari gjerman me punë në ambasadën gjermane në Tiranë, Daum [Werner Daum, shën. im – M.K]. Patëm një bisedë shumë interesante për Shqipërinë e sotme. Hezitimi i gjatë i Ministrisë së Jashtme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, vendin e fundit europian që nuk kishte marrëdhënie diplomatike me ne, më dukej i justifikueshëm, vetëm duke menduar për kërkesat e paturpshme të qeverisë shqiptare për dëmshpërblimet e luftës. Si kryetar i bordit drejtues të Shoqatës së Europës Juglindore [Südosteuropa-Gesellschaft], para disa vitesh kisha pasur nderin të prisja një delegacion të vogël shqiptar, të drejtuar nga profesor Buda, i cili fliste një gjermanishte të shkëlqyer. Në një konferencë për arsimin e lartë të Shoqatës së Europës Juglindore në Tutzing, për çudinë tonë morën pjesë edhe dy delegatë nga Shqipëria. Vizitat po pasonin njëra-tjetrën. Një delegacion i Shoqatës së Europës Juglindore u ftua për një vizitë në Shqipëri. Unë nuk mora pjesë në këtë vizitë, pasi arrija t’i përfytyroja shumë mirë “fshatrat e Potemkin-it” që do t’i tregoheshin delegacionit gjerman. Në pritje të përfundimit të ndërtimit të godinës së ambasadës, i ngarkuari gjerman me punë në Shqipëri, Daum, banoi tetë muaj në të njëjtin hotel “Dajti”, ku kisha banuar edhe unë gjatë luftës dhe kisha përjetuar shumë gjëra interesante.

Arsyeja përse Republika Federale më në fund e njohu Shqipërinë dhe bëri marrëveshjen për shkëmbimin e ambasadorëve, është për mua ende e paqartë. Ekonomikisht Shqipëria nuk ofron asgjë: ndoshta pak domate, bimë mjekësore dhe fruta. Dhe gjithë këto, në një sasi tepër të kufizuar. E veçanta: Shqipëria është eksportuesi i dytë më i madh në botë i kromit.

Nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka nënshkruar Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe që as ka ndërmend të bëhet pjesë e saj – ndërkohë që këto ditë festohet 40- vjetori i krijimit të saj. Ndalim total i çdo lirie besimi fetar, asnjë qytetar nuk ka të drejtë të flasë me të huaj pa një leje të posaçme nga policia, censurë e egër ndaj lirisë së shtypit! Para disa vjetësh u ekzekutua një prift katolik, sepse kishte kunguar një fëmijë fshehtas. Gjithë këto ndiqen me vëmendje në Republikën Federale, ku iluzionistët e të drejtave të njeriut revoltohen për shkeljet e të drejtave të njeriut në vende, të cilat nuk krahasohen aspak me Shqipërinë. Jam kureshtar të di se në ç’masë do të jetë ndihma gjermane për zhvillimin e Shqipërisë, bazuar në projektet tashmë të miratuara të zhvillimit dhe ku do të konsistojë kontributi i Shqipërisë për të merituar këtë ndihmë, pasi të përfundojë ndërtimi i godinës së ambasadës. Apo vizitat që kryen disa politikanë të njohur gjermanë në Shqipëri, ishin vetëm për televizionet dhe në shërbim të propagandës individuale?

Me këtë rast, dëshiroj të shtoj diçka për kushtet në të cilat më duhej të punoja në Shqipëri dhe për përvojën time në këtë vit të rëndësishëm.

Politika gjermane në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë, në vitin 1943 dhe marshimi i shpejtë i trupave gjermane u ndikua që në fillim nga një gabim serioz politik. Ndërtimi i një shteti shqiptar të pavarur dhe krijimi i Këshillit të Regjencës dhe Qeverisë bazohej, para së gjithash në një memorandum të hartuar nga majori von Scheiger, i cili ishte pa dyshim njohësi më i mirë i vendit, që para kapitullimit të Italisë. Scheiger-i ishte larguar nga Konsullata e Përgjithshme Gjermane në Tiranë, si pasojë e presionit italian, disa muaj para se Italia të kapitullonte në vitin 1943. Ai kishte shërbyer në Shqipëri për një periudhë mëse njëzetvjeçare si konsull tregtar austriak dhe e njihte shumë mirë politikën që ndiqte elita shqiptare. Por, pas largimit të tij nuk e kishte vënë re fare tërmetin komunist në gjirin e rinisë shqiptare. Politikanët shqiptarë që u kthyen nga azili, para së gjithash anëtarët e familjeve Frashëri, Mitrovica, Vlora, Vrioni etj., papritur e panë veten të tejkaluar nga intelektualët komunistë, si Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, të cilët ishin të rinj, energjikë dhe kryesisht të paskrupullt dhe që e kuptuan menjëherë se si mobilizohej rinia. Siç e pranuan më vonë thuajse edhe gjithë njohësit e Shqipërisë, në këtë situatë do të kishte qenë më mirë që Gjermania të kishte ndërtuar në Shqipëri një administratë ushtarake me përfshirjen e një komiteti kombëtar shqiptar. Ky zhvillim duhej të lidhej edhe me një garanci – siç e kishte dhënë edhe mbajtur fjalën Austro-Hungaria në vitin 1915 gjatë Luftës së Parë Botërore, që Shqipëria do të ruante kufijtë etnikë dhe pas vendosjes së qetësisë dhe rregullit, do të fitonte sovranitetin e plotë. Kjo strategji do të kishte qenë më e plotë dhe do të kishte kursyer më shumë gjakderdhje, sesa krijimi i Regjencës dhe Qeverisë, ndikimi i të cilave nuk i kalonte dot zonat që mbaheshin të siguruara nga ushtria gjermane.


Ndonëse kishin kaluar dy muaj nga mbërritja e trupave gjermane, Tirana, Shkodra dhe Elbasani, pra tre qytetet më të mëdha të vendit, ndodheshin nën terrorin komunist derisa ministri i ri i Brendshëm, Xhaferr Deva, hyri në Tiranë me 600 kosovarët e tij. Me këtë regjiment të grumbulluar me zor, me mercenarë kosovarë ai arriti të “pastronte” Tiranën. Bazuar në traditat e vjetra shqiptare, këta kosovarë vodhën dhe bastisën pa dallim, sidomos italianët që ndodheshin ende aty. Ky aksion e konsumoi atë farë kredibiliteti që kishin fituar gjermanët, sepse u pushkatuan jo vetëm komunistë, por edhe të pafajshëm. Asnjë drejtues komunist i njohur nuk u ekzekutua. Të gjithë e dinin këtë gjë. Edhe unë vetë e përjetova gjatë dy netëve se çfarë do të thoshte kjo gjë në praktikë. Që ditën e tretë të mbërritjes sime në Tiranë u deklarova shokëve të mi se nuk do të pranoja në asnjë mënyrë të jetoja, flija dhe punoja në këtë cep palestre ku na kishin futur, por do të kërkoja një vend më të mirë. Ecëm nëpër Tiranë dhe në rrugën kryesore më ra në sy një godinë, më e mira, me katër kate, ku ndodhej “Banca del Lavoro”, një nga bankat më të mëdha shtetërore italiane, e cila kishte kryer një aktivitet shumë të ngjeshur gjatë pushtimit italian dhe që sigurisht tani si gjithë institucionet e tjera italiane, ishte jashtë funksionit. Hyra në godinë dhe njoftova drejtorin për ardhjen time. De Vita fliste një anglishte perfekte, meqë nëna e tij ishte angleze. Në takim i thashë: “Signor de Vita, ju e dini se ne gjermanët jemi këtu në një vend neutral. Unë nuk e kam autoritetin për të bërë ndonjë konfiskim. Unë mund të shpreh vetëm dëshirën. Po ju bëj ofertën e mëposhtme: Banka juaj nuk funksionon më. Ju nuk keni punë dhe si ju, ashtu edhe punonjësit tuaj në godinë, nuk janë të sigurt! Unë ju ofroj garanci për jetën tuaj dhe të 25 punonjësve tuaj italianë, të cilët të grumbulluar nga gjithë Shqipëria jetojnë dhe flenë këtu. Si shkëmbim, ju më lëshoni për qëllimet e mia gjithë katin e parë të godinës. Unë me njerëzit e mi do të punoj dhe jetoj këtu.”

Ai m’u përgjigj se i duhej kohë për t’u menduar dhe më tha: “Ju lutem, ejani edhe njëherë sot pasdite”. U ktheva përsëri pasdite dhe i gjeta italianët duke liruar gjithë katin e parë. Më lanë në dispozicion gjithë mobiliet që kërkova dhe drejtori de Vita më luti të firmosja një listë inventari. Kësisoj ishte nënshkruar pakti ynë.

Kur kosovarët hynë më vonë në Tiranë, një mesnatë ndodhi si më poshtë:

Dera po gjëmonte nga goditjet e kondakëve të pushkëve. Kisha një parandjenjë të keqe dhe zgjova menjëherë njerëzit e mi. Morëm në duar armët e mbushura. Jashtë ishte një hordhi e egër kosovarësh të armatosur, me një oficer në krye. Ai kërkoi dorëzimin e menjëhershëm të bankës, tani në mesnatë! Para së gjithash ai kërkonte edhe çelësin e kasafortës, sepse sigurisht që kishte ndërmend që së bashku me njerëzit e tij ta bastiste atë, duke shpresuar të gjenin pasuri të madhe. Iu përgjigja ftohtë se kjo shtëpi i përkiste Wehrmacht-it gjerman. Ai do të hynte në godinë vetëm mbi kufomat tona. Nëse ai guxonte të ushtronte sulm ndaj ushtarëve gjermanë, me siguri që do të varej. Kjo gjë e frenoi atë. Ai mallkoi në një mënyrë të tmerrshme, qëlloi me breshëri nëpër mure së bashku me shokët e tij dhe u zhduk nëpër natë.

E njëjta histori u përsërit 14 ditë më vonë me një hordhi tjetër, që po ashtu shpresonte vjedhjen e kasafortës së bankës. Kështu që Signor de Vita dhe 25 njerëzit e tij mbetën gjallë. Pakti që ai bëri me ne ia vlejti më së miri. Nëse do të kishin hyrë kosovarët në godinë, ai dhe 25 njerëzit e tij nuk do të kishin mbijetuar dot. Unë banova për gati një vit në këtë shtëpi moderne, e cila kishte edhe një tarracë të mrekullueshme nga dukej gjithë Tirana, deri sa, si pasojë e presionit të ushtruar nga partizanët u urdhëruam të strehoheshim në ‘lagjen e kazermave’.

Çka tregova më sipër të krijojnë disi një përshtypje nga pasiguria që ekzistonte, fillimisht nga komunistët dhe më pas nga kosovarët e qeverisë. Kur mbërrita në Tiranë, më thanë se komunistët nuk i ngacmonin ushtarët gjermanë. Momentalisht ata qëllonin vetëm mbi nacionalistët e Ballit Kombëtar dhe mbështetësit konservatorë besnikë të mbretit, por më me dëshirë ata qëllonin mbi italianët, ndonëse shumë ushtarë italianë ishin hedhur në radhët e tyre.burimi Gazeta Dita

(Vijon numrin e ardhshëm)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*