Dy vëllezërit, Albano dhe Griseldo Kusi, të cilët vranë me plumb në kokë 26-vjeçarin Indrit Çelaj në vilën e tyre, rezultojnë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Të dy vëllezërit rezultojnë të përfshirë në ngjarje kriminale, si vrasje, plagosje dhe tentativë vrasjeje.
Kështu, Albano Kusi ka vrarë me armë zjarri shtetasin Shkëlqim Nozlli më 16 tetor 2010, ndërkohë që trupi i viktimës në atë kohë u gjet dy ditë më vonë, në Qafë Kërrabë. Nga hetimet e policisë, u zbulua se shkak i vrasjes ishte një borxh i papaguar mes viktimës dhe Kusit, si dhe pazaret për blerjen e dy pistoletave, në të cilën ishin përfshirë dhe dy punonjës policie.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Albano Kusi u arrestua nga policia dhe më pas u la në burg nga gjykata, ndërsa u zbulua se e kishte vrarë Shkëlqim Nozllin për borxhin 650 euro. Sipas Kusit, këto para viktima ia kishte kthyer e më pas ia kishte kërkuar sërish. Viktima Nozlli u kishte premtuar dy punonjësve të policisë shitjen e dy pistoletave nga 1 mijë euro secila.
Sipas vendimit të masës së sigurisë ditën e ngjarjes, Nozlli ka takuar policët. “Pasi u ka treguar njërën nga pistoletat ai u ka marrë atyre shumën e 1750 eurove. Më pas u ka thënë se do të takonte kushëririn e tij Kusin për të marrë pistoletën tjetër. Sipas hetimeve, Nozlli ka takuar Kusin dhe me anë të një taksie kanë udhëtuar drejt Qafë-Kërrabës, ku pas dy ditësh Nozlli u gjend i vdekur. Gjatë deklarimeve në polici, Kusi ka pranuar se ka qenë ai autor i vrasjes së Nozllit, të cilin pretendon se e kishte të afërt.
Nga ana tjetër, edhe vëllai i Albanos, Griseldo Kusi, rezulton i përfshirë në ngjarje kriminale. Në vitin 2011, ai është arrestuar nga policia, pasi ka tentuar të vrasë shtetasin Maksut Hysi, në fshatin Mnik të Tiranës. Ndërkohë, një vit më vonë, më 2012, ai ka tentuar të vrasë një tjetër person. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar, të cilin e ka qëlluar me katër plumba, por që fatmirësisht vetëm njëri e ka kapur në shpatull, duke i shpëtuar kështu atentatit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të natës, kur i riu po kthehej në shtëpi me makinën e tij tip “Benz” me targë TR 3582 S. S.