Nga Agron Brataj

Si për cudi, Vlora nuk është më pa drita, pa ujë e pa pastrim. Të gjithë drejtorët dhanë dorëheqjen, madje edhe ata që nuk duhej ta jepnin. Problemi, me sa duket, u zgjidh. Por le t’i rikthehemi pak një analize të shkurtër kush dhe pse u bënë kokë turku të gjithëve? Kush është arsyeja e vërtetë?
Në qytet flitet shumë. Emrat përmenden hapur, e thashethemet kanë marrë dhenë. Disa nga drejtorët, që janë mësuar vetëm të bëjnë “drejtorin” nga mëngjesi në darkë, nisën të sponsorizojnë portalet, radion “çorba” të Vlorës dhe kafet e qytetit, duke përhapur zëra, thashetheme dhe presion ndaj Kryetarit të Bashkisë. Disa të tjerë lanë koshat e plehrave pa pastruar qëllimisht, për të krijuar kaos artificial. E të tjerë e kjo është më e rënda shkojnë deri aty sa të sponsorizojnë piromanë për t’i vënë flakën fushës së mbetjeve, për të përkeqësuar situatën edhe më shumë.
Si do që të jetë, në gropën e madhe që u hap, ranë edhe vetë brenda. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë, o Vlora heroike!
Sot, ju qytetarë dhe drejtues , sërish e ulët kokën në rresht. Pa thënë asnjë fjalë. Ju pëlqyen apo nuk ju pëlqyen drejtuesit e rinj, përpara Kryeministrit u betuat në heshtje. Me shpresën që “ishallah s’më sheh mua”, dhe e miratuat gjithçka pa kundërshtim. Por sapo dolët nga mbledhja, ju e dini vetë çfarë thatë nëpër tavolina, e kush u shajt me emër e me mbiemër. E dimë mirë të gjithë me libër shtëpie i keni sharë.
Ndoshta këtë herë morët një mësim: kush i hap gropën tjetrit, bie vetë brenda.




