Ndryshe nga Kombëtarja A e cila brenda një harku kohorë shumë të shkurtër shfaqi dy tablo krejtësisht të ndryshme, Shpresat e Alban Bushit vijojnë paraqitjet fantastike. Vogëlushet kuqezi dinë të marrin rezultat edhe me lojë shumë të mirë. Ajo që ngroh ambientin dhe mbi të gjitha trajnerin Alban Bushi është grupi që ka formuar, shumë lojtarë në dispozicion për më tepër me klas, lojtarë të gatshëm që në këto momente të veshin fanellën e kombëtares A. Në konferencën për shtyp, trajneri Bushi theksoi faktin se problemi më i madh për trajnerin Reja do të jetë përzgjedhja e lojtarëve:

Objektivi – Prioriteti kryesor është furnizimi i ekipit të parë. E kam thënë që kur u emërova si trajner këtu. S’i kemi lënë asnjëherë rezultatet për të shkuar larg. Jemi ekip modest, i vogël. S’mund të krahasohemi me Spanjën, Gjermaninë që kanë objektiva dhe për ekipet e moshave. Duhet të përqendrohemi te Kosova. Më pas do të vlerësojmë objektivat.

Kontingjenti- Jam shumë i kënaqur. Sa herë që grumbullohen 12-13 lojtarë të rinj, na e bëjnë përzgjedhjen të vështirë. Kishim 13 lojtarë e mangut. Kjo tregon se FSHF-ja ka bërë një strategji të mirë duke krijuar kampionate dhe ekipet kombëtare për moshat U13 e kështu me radhë. Edhe kur kemi mungesa, ato nuk ndihen. Do të thotë se do të kemi alternative për të ardhmen. Ekipi A nuk do të ngelet mangut.

8 gola në dy ndeshje – Nuk prisja t’i bëja 3 gola Andorrës, me Austrinë po. E kam shprehur se mund të shënonim 4-5 gola, ua kam thënë djemve. Ata luajnë hapur, stil gjerman, duke na bërë të luanim rrezikshëm. Ajo humbja me 4 gola nuk ishte shumë për meritë të Austrisë, nuk dua ta kujtoj atë ndeshje. Andorrën e kisha me merak sepse luan mbrapa, janë pak ekipe në Europë që luajnë mbrapa. Bëmë vetëm 2 seanca stërvitore për Andorrën, erdhëm nga një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm. U munduam të luanim nga krahët dhe punuam me Vrionin dhe Bullain të godisnin me kokë. Duheshin 3 pikët, nuk kishte rëndësi shumë loja.

Rivaliteti te Shpresat – Ata që munguan ishin lojtarë të mirë. Ka ardhur momenti që Shqipëria do të ketë 2-3 kombëtare. Reja nuk e di kë do të ketë kombëtare. Jemi një Francë e vogël. Ne ku ta gjemë që nga të mirët të zgjedhim më të mirët. Konkurrenca bën mirë. Nuk duhen parë emrat. Duhet të përqendrohemi te kombëtarja, nuk më intereson se për kë luan dhe nga vjen. Të shikoj një javë në stërvitje dhe pastaj të zgjedh.

Cili lojtar i Shpresave vlen të shkojë te kombëtarja A – Mendoj se shumica e lojtarëve të Shqipërisë U21 vlejnë për ekipin e parë. Reja e di më mirë se cili vlen.

Më e rëndësishme për një trajner është që trajneri t’i gjejë vendin lojtarit. Kur kundërshtari kap topin kundërshtari ne të jemi 11 pas. Kur marrim topin të jemi 5-6 vetanë sulm. Kemi bërë shumë mirë në mbrojtje me Austrinë në 30-40 metrat pas. Ishte për të ardhur keq kur ata vraponin aq shumë, doja të futesha në fushë t’i ndihmoja. Lojtarët tanë ishin më të vegjël në moshë se austriakët sepse shumica janë datëlindje 2000, 2001. Ndërsa Austria ka lojtarë të nivele elitare që luajnë me Verder Bremenin, Lajpcigun, Mynshenglabahun etj.

Kombëtarja 21 vjeçare është me breza. 1998 është Kallaku dhe Vrioni janë dhe dy ndeshje dhe ikin. Nuk është se mund të bësh një plan afatgjatë. Ne u marrim më të mirën e momentit. Duam që të marrin eksperiencë për të shkuar te kombëtarja. Te kombëtarja A kemi 12-13 lojtarë që kanë shkuar te ekipi i parë në 2-3 vitet e fundit”, u shpreh Alban Bushi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*