Platforma e parë ndërpartiake për lidershipin rinor u zhvillua në Vlorë me tematikë “Lidershipi Politik i të Rinjve” organizuar nga Fondacioni Westminster për Demokraci në Shqipëri.

Trajnimi 2-ditor bëri bashkë 14 të rinj nga forumet rinore të subjekteve politike në vend si Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Të pranishëm në këtë trajnim ishin përfaqësues nga partitë politike dhe ambasada britanike, si dhe përfaqësues nga bota akademike e mediatike.

Synimi i këtij aktiviteti ishte përgatitja e të rinjve në çështjet e lidershipit, komunikimit dhe përdorimit të evidencave në politikëbërje. Gjatë trajnimit, të rinjtë pavarësisht përkatësive politike, përkufizuan prioritetet për rininë për qarkun e Vlorës, ndjeshmërinë dhe perceptimet e tyre ndaj politikës.

 

Çështje të tilla si lidershipi, komunikimi efektiv si dhe përdorimi i të dhënave kërkimore për politikbërje, u zhvilluan dhe u konkretizuan me ushtrime të ndryshme në grup.

Në ditën e parë të trajnimit u mbajt moduli i parë që trajtonte lidershipin autentik dhe parimet bazë të lidershipit që u moderua nga trajnuesja Anila Bashllari, e cila u ndal në 5 karakteristikat kryesore të lidershipit autentik si: Qëllimi, Vlerat, Marrëdhëniet, Vetë-disiplina dhe Komunikimi me dhembshuri duke komunikuar nëpërmjet sinkronizimit të mendjes dhe zemrës.

Tematikë tjetër e trajtuar nga trajnuesja Bashllari ishin dhe parimet kryesore të komunikimit efektiv të cilat u zhvilluan përmes disa ushtrimeve në grup me qëllimin rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit mes të rinjve përtej ngjyrimeve politike.

Gjatë trajnimit, trajnuesja Bashllari theksoi dhe përkufizoi lidershipin si një pasion për të sjellë ndryshim në jetën e të tjerëve dhe theksoi fuqinë e një personi që arrin të shikojë mundësitë kur të tjerët shikojnë kufizime.

Në diten e dytë u trajtuan dy tematika të rëndësishme për të rinjtë lidhur me përdorimin e të dhënave kërkimore në politikëbërje si dhe listimi i prioriteteve që të rinjtë kanë në qarkun Vlorë. Tematika e parë u zhvillua nga trajneri trajneri Ilir Kalemaj (profesor në Universitetin New York Tirana) i cili theksoi rëndësinë e krijimit të bazave të të dhënave nga partitë dhe/ose forumet e partive si një parakusht për një strukturë më të qëndrueshme organizative, si dhe për të kryer sondazhe periodike, për të gjeneruar dhe analizuar të dhëna, për t’i vënë ato në dispozicion të studiuesve dhe konsulentëve apo edhe për masmedian, etj. Këto të dhëna duhet të shfrytëzohen për të hartuar dhe përcaktuar platformat mbi politikat që reflektojnë qëndrimet e partisë gjatë proceseve të vendimmarrjes mbi politikë-bërjen.

 

Ndërsa sesioni i fundit u mbështet në metodën e Kafes Botërore, realizuar nga trajnuesi prof. Elton Skendaj (profesor në Universitetin e Manchester në Amerikë), nga ku të rinjtë kishin mundësinë të punonin në tre grupe për të identifikuar dhe diskutuar prioritetet e të rinjve në qarkun Vlorë.

Grupet u krijuan në mënyrë rastësore në mënyrë që të ishin diverse nga pikëpamja politike dhe të krijohej fryma bashkëpunuese mes tyre.

Pas një pune intensive rreth 2 orë, të rinjtë ranë dakord për prioritetet kryesore për të rinjtë e qarkut Vlorë, nga ku më kryesoret u përmendën si më poshtë:

  • Arsimi cilësor
  • Punësimi
  • Angazhimi i të rinjve në aktivitete kulturore dhe sportive
  • Ekonomia e vendit
  • Shëndetësia

E veçanta e këtij sesioni ishte që të rinjtë paraqitën dhe diskutuan hapa konkret që mund të përmiresohen për të arritur disa nga prioritetet që ata parashtruan duke theksuar:

  • Meritokracia në arsim përmes përzgjedhjes së studentëve sipas mesatares së provimeve të maturës dhe konkurimit;
  • Binjakëzimi me universitetet e huaja për shkëmbim idesh dhe përvojash;
  • Organizimi i më shumë aktiviteteve sportive kulturore dhe intelektuale për të rinjtë;
  • Krijimi i një karte shëndeti për të rinjtë;
  • Për profilet si ekonomia dhe drejtësia të ofrohen konsulenca përkatëse falas për personat në nevojë ekonomike etj.

 

Takimi përcolli mesazhin se rruga drejt një lideri autentik dhe komunikimi efektiv është e gjatë dhe arrihet hap pas hapi, ndërsa investimi i secilit e afron cdo ditë individin me qëllimin dhe vizionin e tij.

Gjithashtu, ky aktivitet krijoi mundësinë që pavarësisht shumë barrierave politike të krijuara, të rinjte të kishin mundësinë të bashkëpunonin dhe komunikonin me njëri tjetrin në mënyrë që të adresojnë problematikat që prekin të rinjtë në qarkun e Vlorës.

Krijimi i platformës ndërpartiake nga WFD dhe promovimi i bashkëpunimit të të rinjve përtej bindjeve politike ka rëndësi jo vetëm në krijimin e sinergjive për ngritjen e përbashkët të zërit të të rinjve për të adresuar problemet e tyre, por edhe për të pasqyruar një model të realizueshëm bashkëpunimi për lidershipin politikë të partive politike.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*