Projekt për një kompeticion evropian që arrin deri në 10 miliardë euro. Ky është propozimi i presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis, që trondit futbollin evropian.

Në një intervistë për tabloidin anglez “Daily Mail”, numri një i klubit të kaltër merr parasysh gjendjen e futbollit dhe për këtë sjell propozimin e tij:

“Champions dhe Europa League nuk krijojnë të ardhura të mjaftueshme për klubet. Për të qenë konkurrues duhen shumë lojtarë të nivelit të lartë. Kjo do të thotë që duhen shpenzime më shumë dhe paratë e shpërblimeve nga garat evropiane nuk mjaftojnë. Kjo është arsyeja pse klubet duhet të flasin me njëri-tjetrin për të krijuar një turne më modern dhe fitimprurës për të gjithë pjesëmarrësit”.

De Laurentiis më pas zbulon se po punon në një projekt: “Ne duhet të zvogëlojmë numrin e garave. Për më tepër, ne duhet të krijojmë një lloj Kampionati Evropian me sistem demokratik të hyrjes në të, bazuar në atë që ekipet arrijnë në garat përkatëse kombëtare. Kam ekzaminuar një projekt të gatshëm për të sjellë 10 miliardë euro në një kompeticion të tillë evropian, por duhet vullnet dhe pavarësi totale”.

 

 

“Hulumtimi im më thotë se njerëzit midis moshës 8 dhe 25 vjeç kanë ndaluar së shikuari futboll dhe preferojnë të luajnë me telefonat inteligjentë. Ata i kanë transformuar plotësisht fëmijët tanë. Por nëse ka gjithnjë ndeshje të forta, mendoj se do të ketë më shumë interes edhe te të rinjtë” – përfundon fjalën e tij presidenti i Napolit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*