Ministri Di Maio pret mjeket shqiptare ne Aeroportin e Romes
Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio ka pritur vetë në Aeroportin Fiumicino të Romës 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që u nisën pasditen e sotme dhe do të jenë në front të parë të betejës me koronavirusin, bashkë me kolegët italianë.
Teksa shpërndau pamjet live të mbërritjes së ekipit shqiptar, Di Maio nuk kurseu falenderimet për Shqipërinë dhe popullin mik shqiptar, siç tha vetë ai. “Personat që patë janë 30 nga mjekët dhe infermierët që erdhën nga Shqipëria. Dua të falenderoj publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjithë qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për solidaritetin e madh që na treguan”, u shpreh Di Maio.
Më tej, ai tha se ishte prekur nga fjalët e kryeministrit Rama, i cili i kishte thënë se pavarësisht se Shqipëria ishte prekur nga koronavirus nuk mund t’i mbante rezervat vetëm për vete në një kohë që Italisë mike i kishin mbaruar të sajat.
“Përpara se ky ekip të imbarkohej në fluturim me avionin që shihni pas meje kryeministri Edi Rama më tha se edhe Shqipëria po përballet me emergjencën e koronavirus por nuk mund të mbajnë rezervat e tyre kur miqtë e tyre italianë I kanë mbaruar rezervat e tyre. Eshtë një fjalë prekëse për të cilën unë e falenderoj. Dhe solidariteti që po tregojnë, tregon edhe njëherë një arsye të mirë që Shqipëria të hyjë njëherë e mirë në Bashkimin Evropian. Sepse shpirti I tyre I solidaritetit që po tregojnë edhe me këta persona këtu është pikërisht ajo vlerë e përbashkët që bëri te lindë Bashkimi Evropian. Dhe që populli shqiptar po ia kujton shumë vendeve të bashkimit Evropian në këtë moment vështirësie. Pra edhe njëherë, falemnderit popullit shqiptar, falemnderit qeverisë shqiptare për ndihmën që po na japin”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio tha se nesër mjekët dhe infermierët shqiptarë do të shkojnë në Lombardi, në frontin më të nxehtë të luftës me covid-19.
“Këta mjekë dhe infermierë nesër në mëngjes do të shkojnë në Lombardi. Pra do të shkojnë në frontin më të nxehtë të luftës së këtij virusi. Faleminderit dhe Mbrojtjes Civile si gjithmonë që do të asistojë në këtë operacion dhe që po lejon të arrijmë te njerëzit tanë ndihmat sa më parë të jetë e mundur. U them mjekëve, infermierëve dhe sanitarëve se kjo është edhe një tjetër përforcim që po vjen drejt jush. Një falenderim shkon edhe për ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë që shoqëroi vetë këta mjekë dhe infermierë.”





