Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera vendosi të shpërndajë kabinetin qeveritar me qëllim për të krijuar një qeveri të re e cila do të implementojë të gjitha reformat sociale të kërkuara nga qindra mijëra protestues në ditët e fundit.

“I kam vendosur të gjithë ministrat e mi në dijeni për qëllimet që kam për të ndryshuar kabinetin, për t’u përballur me kërkesat e qytetarëve”, deklaroi presidenti Pinera.

Më shumë se 1 milionë persona morën pjesë të premten në një manifestim paqësor në Santiago, ku kërkuan drejtësi sociale. Presidenti Pinera reagoi menjëherë pas kësaj proteste të jashtëzakonshme qytetare, duke thënë se e dëgjoi zërin që erdhi prej tyre. “Jemi në një realitet të ri. Kili sot është ndryshe nga ai që ishte një javë më parë”, u shpreh presidenti.

Kreu i shtetit gjithashtu njoftoi se dhe gjendja e shtetrrethimit që ishte vendosur disa ditë më parë në qytete të ndryshme për shkak të protestave është tërhequr.

Të paktën 19 vetë kanë humbur jetën e qindra të tjerë janë plagosur gjatë një jave protestash, që e morën shtysën nga rritja e çmimit të biletës së metrosë, për t’u shndërruar më pas në një demonstrim masiv të pakënaqësisë me pabarazinë e thellë që ka mbërthyer njërin prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine.

Protestuesit kërkojnë me çdo kusht dorëheqjen e presidentit Sebastian Pinera, por ky i fundit ka vendosur që të shkarkojë vetëm ministrat, por jo të largohet vetë nga posti. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*