Banorët në Mbrostar protestojnë pas vendimit për ngritjen e spitalit. Ata janë shprehur se nuk duan që të japin tokën, pasi është i vetmi burim jetese për ta.

“Nuk kam asnjë të ardhur. Jemi katër anëtarë në familje dhe nuk kam asnjë të ardhur tjetër. Kryeministri të thotë çfarë të dojë”, është shprehur një nga banorët.

Protesta në Mbrostar banorët kanë deklaruar se do ta vazhdojnë protestën pasi kundërshtojnë çmimet për shpronësimet që duhet të bëjë. Ata kanë treguar se janë thirrur në një dëgjesë publike nga kryetari i Bashkisë për t’i komunikuar vendimin.

“Në dëgjesën publike thirrur nga kryetari i Bashkisë i parashtruam se kjo tokë bujqësore është e vetmja e ardhme për ne. E keqa më e madhe sipas kryetarit ishte postimi i ndërtimit të spitalit pasi deklaroi se mund ta marrë tokën me forcë.

Ne nuk kërkojmë çmim sepse kjo është tokë bujqësore dhe e vetmja mënyrë jetesë. Në një kohë që janë tre opsione për ndërtimin e spitalit në nuk pranojnë të dorëzojmë me forcë. Ne do t’i drejtohemi Ambasadës turke dhe do t’i qëndrojmë vendimit tonë, nuk negociojmë për çmimin e tokës sepse nuk duam të na merret ky burim jetese”,u shpreh një nga banorët. Kjo protestë vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama shkoi në Levan të Fierit për të zgjedhur vendin se ku do ndërtohej spitali që u premtua nga qeveria turke.

Ndërkohë kreu u Bashkisë së Fierit Armando Subashi, deklaroi se dëmshpërblimi i banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e spitalit në Mbrostar, do të realizohet brenda afateve.

Ai gjithashtu theksoi se është vendosur që spitali të ndërtohet në atë hapësirë toke pasi është përzgjedhur si vendi që ka plotësuar kushtet. “Bëhet fjalë për një vepër të madhe publike që do i shërbejë gjithë rajonit të jugut. Ka kushte specifike se si duhet trualli që duhet për ta ndërtuar.

U gjykua më e përshtatshme që të ndërtohet këtu sepse është pranë by pass dhe plotëson kushtet specifike. Kjo u zgjodh nga 3 apo 4 variante. Ne kemi nxjerrë listën e pronarëve dhe i informuam për këtë çështje. Vendimi është marre dhe kanë filluar procedurat e shpronësimit.

Në të bëjmë marrëveshje të përbashkët që edhe punimet mos të pengohen edhe ju brenda afateve minimale të merrni dëmshpërblimi. Dëmshpërblimi do të jepet sipas ligjit. Nëse flasim që gjërat të bëhen me ligj, ligji i shpronësimeve është bërë që në 1993 dhe nuk ka ndryshuar.

Gjithë punët publike që janë bërë janë bërë mbi bazën e atij ligji.Ligji nuk kërkon pëlqimin e pronarit. Nëse shteti vendos, vepra publike do të ndërtohet. Ligji vendos vlerën e kompensimit në bazë të zonës Kadastrale. Do shohim mundësinë e punësimit të këtyre njerëzve. Ju do keni përfitimet tuaja”, tha ai.

Sakaq në konferencën e sotme për fushatën e vaksinës anti-covid, kryeministri Edi Rama komentoi edhe protestën e banorëve të Mbrostarit të cilët kundërshtojnë ndërtimin e spitalit në tokat e tyre bujqësore,  pasi shprehen se nuk kanë burime të tjera për të jetuar.

Kryeministri Rama tha se spitali do të ndërtohet dhe se banorëve nëpërmjet kryetarit të Bashkisë së Fierit Armando Subashi i është komunikuar një marrëveshje për tu njohur me dëmshpërblimin.

Gjithashtu ai theksoi se spitali është një e mirë publike dhe se sipas tij për këtë vepër nuk mund të negociohet për të kundërtën.

“Janë gjithsej 12 familje. Ai spital do të administrohet nga specialistë turq për një periudhë kohe.Është e rëndësishme të theksojmë se është spital publik, jo privat. Duhet thënë se shteti ka të drejtë të zgjedhë vendin dhe të shpronësojë për interesat publike.

Protestat nuk funksionojnë kur nuk kanë bazë të drejtën me ligj. Banorëve i them atë që i ka thënë kryetari i Bashkisë , se koha e procedurave të shpronësimit merr një pjesë të mirë të kohës, i është kërkuar mirëkuptimi që të firmosin një marrëveshje.

Ju kemi thënë se në atë territor ku do të ndërtohet spitali çdo pjesë që nuk do të shpronësohet jemi gati t’i japin mundësinë që të ngrenë njësi shërbimi që do t’i shërbejnë spitalit. Ai spital do të jetë rajonal. Ndërkohë ju është thënë që për çdo ditë vonesë nga marrëveshje qeveria do të paguajë dëmshpërblim. Garanci më shumë se kaq nuk mund të japim. Spitali është një e mirë e madhe publik dhe s’mund ta negociojmë për asnjë pronar apo familje”,tha Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*