Cristiano Ronaldo thotë se nuk jeton duke menduar për çmime individuale, teksa u pyet për “Topin e Artë”, pas paraqitjes së tij mahnitëse me katër gola për Portugalinë në kualifikueset e “Euro 2020”. CR7 realizoi “poker” në fitoren 5-1 ndaj Lituanisë, të martën në Vilnius, për llogari të Grupit B.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” u bë kryegolashënuesi i të gjitha kohërave në kualifikueset e Kampionatit Europian, me 25 gola, duke tejkaluar Robbie Keane në këtë drejtim.

Superylli i Juventusit, gjithashtu, vendosi rekordin e tij ndërkombëtar me 93 gola, pasi shënoi “hat-trick” e tetë personal me Portugalinë.

Ronaldo, i cili është në listën e vogël përfundimtare për çmimin e më të mirit të FIFA-s, u pyet për shanset që të fitojë të gjashtin “Top të Artë”: “Siç them gjithmonë, nuk jetoj duke menduar për çmime individuale. Ne fituam kolektivisht sonte. Natyrisht, është mirë ta fitosh “Topin e Artë”, nuk mund të gënjej. Gjëja më e rëndësishme ishte të ndihmoja ekipin.

Kam shënuar një gol kundër Serbisë dhe katër këtu, ndaj jam shumë i lumtur. Ta shijojmë këtë moment dhe të vazhdojmë kështu. Unë po kaloj një periudhë mjaft pozitive, por edhe skuadra është shumë mirë. Jam i lumtur dhe po e shijoj këtë moment, jo sepse kam shënuar gola, por për shkak të nivelit që kemi arritur të demonstrojmë vitet e fundit si kombëtare. Mua më takon të vazhdoj ta ndihmoj ekipin kombëtar”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*