Nga Agron Brataj

Serie A, gjithçka e hapur për titullin: Napoli ruan kreun, Interi ndalet nga Pedro

Napoli nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në transfertë kundër Parmës, në javën e 37-të të Serie A, por në kontrast me Interin, që u ndal në një 2-2 ndaj Lazios në San Siro, ky rezultat ka shijen e një fitoreje. Skuadra e Antonio Contes mbajti avantazhin minimal prej një pike në krye të tabelës, falë një dopiete të Pedro-s për Lazion, me një gol nga penalltia në minutën e 90-të që i prishi festën zikaltërve.

Parma – Napoli 0-0

Inter – Lazio 2-2

Një mbrëmje me mbi 100 minuta tension dhe emocione të forta në Stadiumin  San Siro, ku gjithçka u përmbys për t’u kthyer më pas në pikën e nisjes. Napoli i Contes u shfaq i lodhur dhe me pak ide, por edhe i pafat, duke goditur tre shtylla.

Megjithatë, skuadra napolitane largohet nga Parma me fatin e titullit ende në duart e saj. Në sfidën e fundit kundër Cagliarit, do të duhet shumë më tepër për të arritur te titulli i katërt kampion në histori.

Interi, nga ana tjetër, e humbi shansin e artë për të marrë kreun e renditjes pikërisht në fund, kur një penallti e kthyer në gol nga Pedro, për një prekje me dorë të Bisseck, vendosi barazimin përfundimtar. Zikaltërit, që kishin kaluar në avantazh me Bisseck dhe më pas sërish me Thuram, patën edhe raste të tjera të mëdha në fund me Arnautovic dhe Acerbi, por pa sukses.

Napoli, përkundër përpjekjeve, nuk arriti të gjente qartësinë në manovër për të shfrytëzuar Lukakun dhe McTominay, dhe iu desh të mbështetej te pritjet vendimtare të Meret ndaj tentativave të Sohm. Gjithashtu, shtyllat i mohuan golin fillimisht Anguissa e më pas Politano, ndërsa portieri Suzuki priti në mënyrë spektakolare një goditje dënimi të McTominay.

Në 20 minutat e fundit, përveç një penalltie të anuluar nga VAR për një ndërhyrje mbi Neres, Napoli nuk bëri shumë më tepër, ndërsa Lukaku, në rolin e “analistit” në fushë, informonte shokët për zhvillimet në San Siro.

Në Milano, Interi kishte mundësinë e artë për të marrë kreun, por gjithçka u përmbys në frymën e fundit. Barazimi i Pedro-s ngjalli kujtime të hidhura për tifozët zikaltër, ndërsa gabimet e Arnautovic dhe Acerbi në minutat shtesë konfirmuan se edhe këtë herë, fati nuk ishte në anën e tyre.

Napoli ka 1 pikë avantazh dhe nëse fiton ndaj Cagliarit, është kampion pa diskutim.

Interi duhet të fitojë në transfertën ndaj Como-s dhe të shpresojë që Napoli të gabojë.

90 minuta nga fundi, gjithçka mbetet në ekuilibër, në një kampionat ku gjithçka është e mundur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*