Nga Agron Brataj

SHBA dhe Kina rikthejnë bisedimet tregtare: Takim historik në Zvicër këtë fundjavë
Zvicër,
Për herë të parë që nga rifillimi i luftës tregtare nën administratën Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të ulen në tryezën e bisedimeve këtë fundjavë në Zvicër, në një përpjekje për të hedhur themelet e negociatave tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Takimi do të mbahet më 10 dhe 11 maj, dhe në të do të marrin pjesë zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Besant, si dhe Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer.
Ky angazhim vjen pas një periudhe përshkallëzimi të tensioneve ekonomike, kur presidenti Donald Trump, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, vendosi tarifa të reja mbi produktet kineze, duke arritur një total prej 145%. Si kundërpërgjigje, Kina reagoi me tarifa prej 125% mbi mallrat amerikane, përfshirë edhe masa të synuara sektorialisht.
Qëndrime të forta dhe paralajmërime nga Pekini
Ministria kineze e Tregtisë theksoi sot se vendi nuk do të heqë dorë nga parimet e tij gjatë bisedimeve dhe do të mbrojë drejtësinë ekonomike në arenën ndërkombëtare. “Nëse Shtetet e Bashkuara duan të zgjidhin problemin përmes negociatave, ato duhet të përballen me ndikimin serioz negativ që tarifat e tyre të njëanshme kanë shkaktuar jo vetëm për veten, por edhe për ekonominë globale,” thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Përballë sfidave ekonomike, Kina ul normat e interesit
Në përpjekje për të mbështetur një ekonomi të goditur nga konsumi i ngadalësuar dhe tensionet tregtare, Pekini njoftoi gjithashtu uljen e normave të interesit dhe të rezervave të detyrueshme për bankat, për të nxitur kreditimin dhe për të injektuar më shumë likuiditet në treg.
Rreziku i recesionit dhe inflacionit global
Ekspertët paralajmërojnë se tarifat aktuale përbëjnë një rrezik real për ekonominë globale. Me nivele që shumica e ekonomistëve i konsiderojnë të papërballueshme, si SHBA-ja ashtu edhe Kina, dhe vendet që varen nga tregtia me to, mund të përballen me recesion dhe rritje të çmimeve në muajt në vijim.
Takimi në Zvicër pritet të shënojë një pikë kthese të mundshme për të ulur tensionet dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje tregtare më të qëndrueshme në të ardhmen.




