Oliver Kahn do të drejtojë fatet e Bajernit të Mynihut në të ardhmen e afërt. Prej janarit të vitit 2020, “Titani” do të shërbejë si anëtar i bordit të klubit rekordmen të Gjermanisë, ndërkohë që dy vite më vonë do të zëvendësojë shefin e kësaj strukture, Karl-Hainc Rumenigen.

Por, në pritje të marrjes së detyrës së tij të parë zyrtare në ishklub pas tre muajve, emri i ish-kapitenit është lakuar për një ngjarjeje të pazakontë. “Bild” shkruan se legjenda e portës, i cili shërben edhe si ambasador i kompanisë së basteve “tipico”, ishte i pranishëm në një ceremoni promovimi garash me kuaj në Këln. Ai shoqërohej nga tre roje sigurie, të cilët tërhoqën menjëherë vëmendjen e shtypit gjerman.

 

Sipas “Bild”-it, dy prej këtyre truprojave janë pjesë e një bande kriminale, të cilët kanë edhe precedentë penalë për krime të dhunshme: sulme, kërcënime, ndërkohë që njëri prej tyre është përfshirë edhe në shkëmbim zjarri. Në artikull thuhet se ata mund të jenë pjesëtarë të kartelit të Engjëjve të Ferrit “Honorfield”.

Këta të fundit, me grupin “Bandidos” janë në një konflikt të hapur në qytetin e Këlnit, i cili ka qenë shpesh arenë e përplasjeve të armatosura mes dy bandave rivale. A ishte jeta e drejtuesit të ardhshëm të Bajernit në rrezik? “Bild” këmbëngul se nëse anëtarë të “Bandidos” mund të kishin qenë të pranishëm gjatë eventit të fundit, mund të kishte një përplasje të armatosur dhe Kahn mund të ndodhej në qendër të konfliktit mes tyre.

Forcat e sigurisë së këtij eventi i kishte pajtuar natyrisht kompania “tipico”, e cila prej vitit 2012 ka një kontratë me Oli Kahnin. Sipas “Bild”-it, kompania e basteve ka bërë kërkimet e saj për pastërtinë e punonjësve të sigurisë, por në fund nuk ka gjetur asgjë problematikë në dosjen e tyre.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*