Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluçi ka folur rreth shpërthimit me tritol që iu bë mesnatën e sotme makinës së prokurorit Albert Kuliçi.

 Ai ka deklaruar se Kuliçi është një ndër prokurorët më të mirë në Shqipëri dhe e ka cilësuar këtë ngjarje të shëmtuar.

Sipas kryetarit Haluçi, çështja e tokave është bërë shkak për aktet kriminale.

‘Është ngjarje shumë e shëmtuar prej frikacakësh  e burracakësh që veprojnë me maska dhe me tritol. Ne do të përgjigjemi me akte dhe me dënime. Nuk tërhiqemi. Gra e burra në Prokurinë dhe në Gjyqësorin e Vlorës punojnë natë e ditë vetëm për të zbatuar ligjin. Janë disa raste që goditet gjyqësori. Po goditet gjyqësori edhe me baltë jo vetëm me tritol. Siguroj qytetarët e Vlorës që kanë vu dorë, dhe kanë grabitur prona të qytetarëve të Vlorës nuk kanë për t’i gëzuar. Ka lidhje me ngjarje konkrete dhe jo konkrete. Janë më shumë se 4 milion euro të sekuestruara’, u shpreh Haluçi.

Kush është prokurori Albert Kuliçi?

Albert Kuliçi është me origjinë nga Tropoja dhe vitet e fundit ka pasur në dorë dosje të bujshme në Vlorë.

Ai ka hetuar çështjet duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë u dënuan me burg.

Gjithshtu Kuliçi ka hetuar edhe koncesionin e parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Prokurori ka hetuar edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

Ndërkohë kujtojmë që Abert Kuliçi nuk i është nënshtruar ende procesit të vetting-ut.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*