Nga Agron Brataj

Vdes në spital 24-vjeçari Gerald Bitri, një nga të plagosurit në përplasjen me armë në Laç
Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës 24-vjeçari Gerald Bitri, një nga të plagosurit në ngjarjen e rëndë me armë zjarri të ndodhur mesditën e së shtunës në Laç. I riu nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda në zonën e legenit dhe ndërroi jetë gjatë natës.
Ngjarja e rëndë nisi si një konflikt mes disa të rinjve, i cili kishte filluar që dy ditë më parë, më 2 maj, për shkak të një aksidenti të vogël rrugor me dëme të lehta materiale.
Tensionet vijuan edhe më 3 maj, rreth orës 14:00, kur palët u përballën sërish, fillimisht me konfrontim verbal e fizik, për të përfunduar më pas me përdorim armësh zjarri.
Nga përplasja mbetën të plagosur pesë persona: Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi, Geri Bitri dhe Gerald Bitri – ky i fundit, fatkeqësisht, nuk i mbijetoi plagëve.
Plagosja goditi gjithashtu edhe Angjelina Gjezaj, 58 vjeç, një shitëse ambulante e cila ndërhyri për të ndalur konfliktin, por u qëllua aksidentalisht në këmbë.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë dhe dy automjete, të cilat janë sekuestruar si prova materiale. Një nga armët e përdorura u gjet e braktisur në një pellg me ujë pranë një pallati në ndërtim.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, policia arrestoi në flagrancë dy persona: Daniel Gjeloshi, 27 vjeç (i plagosur gjatë përplasjes dhe jashtë rrezikut për jetën), dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç. Të dy janë të dyshuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “armbajtja pa leje , armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
albaniatimes.al




