Një video e një oficeri policie që i vë gjurin në qafë një burri, i cili më vonë vdiq në një ambulancë, po shpërndahet mes çekëve në mediet sociale, duke bërë që shumë të krahasojnë vdekjen e tij me atë të George Floyd në SHBA.

Njëri nga oficerët e policisë i vuri gjurin në qafë për disa minuta të riut, i cili më vonë vdiq në ambulancën e thirrur në vendngjarje nga policia.

Sipas policisë, shkaku i vdekjes nuk ishte gjuri në qafën e tij, por droga që kishte përdorur.

Michal Miko, drejtori i organizatës Romanonet, ka postuar në internet një video të cilësuar si “Lartësia e brutalitetit”.

Zërat e disa kalimtarëve dëgjohen në video.

“Ata po e lodhin atë”, mund të dëgjohet zëri i një gruaje.

“Kjo është puna e tyre”, thotë zëri i një burri, duke mbrojtur ndërhyrjen e policisë.

“Qëndro poshtë, mos u ço”, këshillon një tjetër.

Jozef Miker, një aktivist dhe udhëheqës i komunitetit rom në Çeki, pasi u kthye nga vendi i incidentit ku ndezën qirinj për të kujtuar të ndjerin ka thënë: “Njerëzit më thanë se quhej Stanislav dhe ishte rreth 40 vjeç. Ai jetonte në rrugë por punonte në një supermarket aty pranë si roje sigurie. Kur pa që një burrë tjetër po shkatërronte një automjet, Stanislav u përpoq të ndërhynte. Kur erdhi policia, ata e morën Stanislavin në tokë duke menduar se ishte ai.”

“Ne krijuam një memorial, në mënyrë që njerëzit të dinë se çfarë ndodhi; kjo nuk duhet të mbetet pa u vërejtur. Ne do të vijmë këtu çdo ditë derisa të zbulojmë të vërtetën”.

Në të njëjtën mënyrë, Floyd u vra në Minneapolis në maj të vitit 2020 pasi oficeri i policisë Derek Chauvin i kishte vënë gjurin në qafën e tij për disa minuta gjatë arrestimit të tij, pavarësisht reagimit të Floyd-it duke thënë se ai nuk mund të merrte frymë.

Pamjet e vdekjes së tij ndezën protesta globale kundër padrejtësisë racore.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*